Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, të enjten ka bërë të ditur se Prokuroria Speciale ka hedhur poshtë kallëzimin penal ndaj tij dhe kryeshefit të ndërmarrjes publike lokale “SportMarketing”, Bardh Krasniqi, në lidhje me organizimin e tregut festiv “Akull n’verë” dhe “Verë n’dimër”.
Rama e ka cilësuar vendimin si një dëshmi që, sipas tij, përpjekjet për sabotim politik ndaj kryeqytetit kanë dështuar.
“Tentativat për të bllokuar çdo të mirë që bëhet në kryeqytet janë bërë të përsëritura dhe gjithnjë e më transparente në motivet e tyre”, ka shkruar Rama në Facebook.
Ai akuzoi Qeverinë në detyrë për përpjekje për të diskredituar organizimin e festave dhe shtoi se drejtësia ka folur qartë, duke e rrëzuar kallëzimin si të pabazë.
Kallëzimi penal ishte ngritur nga ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, por Prokuroria, siç ka njoftuar Rama, e ka cilësuar tërësisht të pabazuar.
Rama theksoi se përballja është mes “një qasjeje që ndërton dhe i shërben qytetarit” dhe një tjetër që “bllokon dhe saboton”, por sipas tij, faktet dhe drejtësia janë në anën e kryeqytetit.
Ai përfundoi deklaratën me mesazhin se “kryeqyteti nuk ndalet” dhe se projektet e zhvillimit do të vazhdojnë pavarësisht pengesave politike.
Në fillim të dhjetorit të vitit 2024, ministri në detyrë, Elbert Krasniqi, kishte bërë kallëzim penal ndaj kryetarit Rama pasi pretendonte se kundërligjshëm i ka deleguar organizimin e tregut festiv ndërmarrjes “SportMarketing”.