Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rama mbështet Kosovën në Këshill të Evropës: Më vjen keq për qëndrimet e Serbisë

edi rama, aleksandar vucic, serbia, rusia, shqiperia

Shqipëria do ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ka deklaruar kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, që ka shtuar se “i vjen keq” për qëndrimin e Serbisë.

Pas takimit jozyrtar me liderët e rajonit, të zhvilluar në Bruksel, Rama ka thënë se Shqipëria mbështet Kosovën në çdo hap.

“Jemi shumë të qartë, nuk kemi asnjë ekuivok. Jemi në mbështetje absolute të Kosovës në çdo hap. Por kemi qasje komplet tjetër kur vjen puna te normalizimi i marrëdhënieve hap pas hapi, në aspektin ekonomik, të lëvizjes me Serbinë, paralelisht me betejën diplomatike për dialog, sepse besojmë se kjo është rruga. Nga ana tjetër respektojmë plotësisht zgjedhjen e bërë nga organet legjitime të Kosovës që kanë qasje krejt tjetër”, tha Rama. “Por kur vjen puna te demarshet e Kosovës në arenën ndërkombëtare, jemi 100% me Kosovën, Serbia sigurisht është në të drejtën e vet të mendojë krejt ndryshe. Na vjen keq për Serbinë në këtë hap, por ne mbështesim Kosovën”.

Rama foli edhe për nismën e Ballkanit të Hapur dhe tha se pret që shumë shpejt asaj t’i bashkohet edhe Mali i Zi, tashmë me një kryeministër shqiptar, Dritan Abazoviq.

“Është çështje kohe që do të na bashkohen të gjithë, sepse nuk ka ku shkon më. Sigurisht është humbje kohe për ata që refuzojnë të bashkohen, por ne nuk kemi kohë për të humbur”, ka shtuar ai, raporton A2news.