Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shkëputur nga “bota e madhe me aleatët e partnerët” dhe “është izoluar në një botë tjetër”. Duke folur në konferencë për media nga Podogorica pas takimit me kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, Rama ka thënë se Kurti po e sheh një situatë që mund ta zgjidhë pa u takuar me të.
I pyetur për refuzimin e Kurtit për takim, Rama ka thënë se nuk ishte në Prishtinë për t’u martuar me kryeministrin Kurti, ndërsa ka shtuar se me të nuk ka asnjë problem personal apo institucional, por thjesht një pikëpamje të ndryshme për një çështje.
“Nuk shkova në Prishtinë për t’u martuar me Albinin. Nuk ndihem i fyer si një dhëndër të cilit nusja s’i doli në takim. Unë shkova në Prishtinë, siç erdha këtu e siç do të shkoj në Beograd, për të pasur takime si kryeministër i Shqipërisë”, ka thënë ai duke përsëritur se s’ka problem personale e as institucionale me Kurtin.
Kryeministri i Shqipërisë vizitoi dje Kosovën. U takua me presidenten Vjosa Osmani dhe kryekuvendarin Glauk Konjufca. Pavarësisht përpjekjeve, takimi me Kurtin nuk ndodhi. Rama konfirmoi se do ta ftojë Kurtin në samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në tetor në Tiran. Për takimin me Konjufcën, Rama ka thënë se ka dalë “i energjizuar” dhe “jo i lënduar”.
“Se përse Glauku tha diçka tjetër jashtë e diçka tjetër brenda, pyesni Glaukun, por më mirë pyesni Albinin se ua thotë Albini”, ka deklaruar Rama.
“Se përse s’u takuam, ju siguroj që kam bërë çmos deri në momentet e fundit që të takohem me kryeministrin e Kosovës. Ai ka arsyet e veta, unë nuk dua ta interpretoj psenë sepse ai është në një tjetër botë në këtë moment, nuk është në botën time. Unë e respektoj botën ku ai është, ose sikletin e asaj bote. Mendoj që kjo bota ku jam unë është më e madhe se ajo bota ku është Albini, këtu janë të gjithë aleatët, partnerët tanë, jemi të gjithë së bashku, dhe Albini është shkëputur dhe është futur në një botë që është e mbyllur. Por respekt gjithsesi, secili duhet respektuar në hallin ku është”, ka thënë Rama.
Ai ka deklaruar se në takimin në Tiranë, në kuadër të Procesit të Berlinit, Kurti është i ftuar dhe se këtë “ia ka qartësuar edhe Brukselit”.
“Ia kam bërë të qartë edhe Brukselit që takim kryeministrash pa kryeministrin e Kosovës në Tiranë nuk ka. Kështu e kuptoj unë rëndësinë e kryeministrit të Kosovës sa i takon Procesit të Berlinit. Por s’e përjashtoj që Albini të mos vijë. S’përjashtoj asgjë”, ka thënë tutje ai.
Rama e ka cilësuar të “tepërt, rrezikshme dhe të kotë”, izolimin e kryetarit të Leposaviqit, Lulzim Hetemi, brenda objektit komunal, që nga 26 maji. Ka thënë se “duhet të jemi krenarë për historitë, por s’duhet të lejojmë të jetojmë me Oso Kukën në koihën kur bota merret me inteligjencën artificiale”.
Edhe Abazoviq u shpreh se asnjë konflikt, veçanërisht në rajon, nuk është i mirë.
“Është harxhuar shumë kohë për të dalë me një propozim dhe mendoj se do të ishte mirë që Serbia dhe Kosova të nënshkruajnë marrëveshjen”, ka thënë ai.
Sa i përket nismës së Ballkanit të Hapur, Rama u përgjigj se kjo nismë rajonale nuk është kompania e tij private. Përsëriti se nisma e ka kryer funksionin e vet.
“Është një nismë e përbashkët dhe do ta rihapja një mijë herë dhe do ta quaja sërish Ballkani i Hapur”, theksoi ai, duke vlerësuar se nisma “e përmbushi misionin e saj”.
“Ka pasur shumë teori konspirative kundër Ballkanit të Hapur – se është një plan kinezo-rus, se (kryeministri hungarez Viktor) Orban është gjithashtu i përfshirë, se janë përfshirë edhe faktorë të tjerë të huaj... Kjo ndikoi edhe në Procesin e Berlinit dhe ne duhet t'i përkushtohemi Procesit të Berlinit. Shqipëria është mikpritëse e samitit dhe prandaj nuk duhet të lejojmë që të shpërqendrohemi”, theksoi Rama.
Ai ka thënë se pjesërisht pajtohet me Abazoviqin kur bëhet fjalë për “situata absurde si kjo në veri të Kosovës”.
“Ne jemi ekonomi të vogla dhe jemi më larg nga BE-ja kur jemi të ndarë sesa kur jemi bashkë. Edhe pse flasim gjuhë të ndryshme, ndajmë të njëjtën klimë dhe të njëjtin mentalitet”, ka shtuar Rama.
Rama dhe Kurti kanë pasur përplasje publike që nga muaji i shkuar, kur kryeministri i Shqipërisë anuloi njëanshëm mbledhjen e dy qeverive duke e arsyetuar me “mosdëgjimin e ndërkombëtarëve” nga Kosova për tensionet në veri. Të enjten, Kurti refuzoi takimin sy më sy me Ramën, “pa ndodhur mbledhja e qeverive”.