Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, edhe një herë ka kërkuar nga NATO që të shtojë trupat e KFOR-it përgjatë kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, duke vlerësuar se është burim i shumë të këqijave nga forcat që synojnë ta destabilizojnë Kosovën.
Në një takim në Shkup të sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, me liderët e shteteve anëtare të aleancës ushtarake nga Ballkani, Rama ka kërkuar rritjen e prezencës së KFOR-it për ta ruajtur paqen dhe sigurinë në Kosovë.
“NATO-ja duhet të jetë më e pranishme në Kosovë, dhe posaçërisht e angazhuar me më shumë trupa për të siguruar kufirin midis Kosovës dhe Serbisë, i cili faktikisht është jashtë kontrollit dhe i cili është në shërbim të aktiviteteve ilegale, të trafikut të armëve, të drogës, të aktiviteteve të cilat më pastaj ngatërrohen edhe me aktivitetin politik me sfonde ultranacionaliste që shkakton devijime të rënda siç ishte devijimi në Banjskë”, ka thënë Rama.
Rama propozoi që formati i ardhshëm i këtij takimi të NATO-s të zhvillohet me praninë edhe të vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor që nuk janë anëtare të aleancës.
“Kjo është shumë e rëndësishme, sikur që nuk duhet harruar për asnjë moment se paqja që kemi në këtë rajon është jashtëzakonshme e çmuar, edhe pse ka brishtësinë e vet”, ka shtuar Rama.
Edhe
Rama kërkon shtimin e forcave të KFOR-it në veri: Kufiri jashtë kontrollit
Shefi i NATO-s ka thënë se do të shqyrtohet propozimi i Ramës, i cili është mbështetur edhe nga pjesëmarrësit e tjerë në takim.
Stoltenberg ka shtuar se NATO-ja është e përkushtuar ta ruajë paqen dhe stabilitetin në këtë rajon.