Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka falënderuar ministrin e dorëhequr sot të Infrastrukturës, Liburn Aliun, për siç ka thënë, bashkëpunimin dhe korrektësinë që ka pasur me të.
“Largimi i tij nga institucioni nuk është vetëm një humbje për institucionet, por për të gjithë ne që besojmë tek puna dhe idealet e larta të shërbimit publik. I uroj suksese në çdo hap të ri dhe e falënderoj nga zemra për kontributin e tij të çmuar në zhvillimin e Kryeqytetit dhe në forcimin e unitetit tonë qytetar dhe kombëtar”, ka shkruar Rama.
Ndryshe prej Aliut, Rama ka qenë kritik për pushtetin qendror, duke e akuzuar se ia ka bllokuar buxhetin komunës.
Madje, në paraqitjen e fundit së bashku me kryeministrin Albin Kurti, kanë shkëmbyer akuza mes njëri-tjetrit.
Derisa ishin duke përuruar gurëthemelin e një çerdheje në Bardhosh, Rama i pati thënë Kurtit që ta zhbllokojë buxhetin e Komunës duke përmendur projekte të mëdha, që sipas tij, kanë ngecur si pasojë e mosbashkëpunimit.
“Kemi edhe një numër të madh të projekteve në kryeqytet, që unë kisha dashur me ju lut kryeministrit në detyrë publikisht që të zhbllokojë buxhetin e kryeqytetit, i cili tashmë është i bllokuar, bartja po ashtu”, kishte thënë i pari i komunës ndër të tjera.

E Kurti e pati porositur që nga shtatori të gjente një punë tjetër, duke aluduar në humbjen e tij në garën zgjedhore në nivelin komunal.
Rama gjithashtu mosmarrëveshje kishte pasur edhe me ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati. Tema ishte e njëjtë, buxheti për komunën.
Aliu ka dorëzuar sot dorëheqjen, duke përmendur si arsye zgjedhjen e Dimal Bashës në postin e kryeparlamentarit.
“Zgjedhja e djeshme e Kryetarit të Kuvendit, institucionit më të lartë, ku vendosen ligjet dhe jep llogari qeveria, nuk është në frymën e në lartësinë e atij ideali për Republikën që ka qenë dhe mbetet arsye angazhimi për mua”, ka shkruar ai.