Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian të dalë me një deklaratë të dytë dhe ta dënojë ditën e zisë të shpallur nga Serbia për vdekjen e tre sulmuesve të armatosur në Banjskë të Zveçanit të dielën.
Në një konferencë për media të mërkurën nga Roma, Rama ka thënë se vrasja e rreshterit të policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku dhe shpallje e ditës së zisë kombëtare nga Serbia janë veprime të pajustifikueshme, të papranueshme dhe duhen dënuar.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAi ka thënë se e kanë të pamundur të mbështesin deklaratën e parë të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, pa pasur një deklaratë të dytë ku dënohen veprimet e Serbisë. Në thelb, Rama thotë se deklarata e parë nuk ka ndonjë problem pasi adreson ato çka janë thënë edhe më parë.
“Qëndrimin tonë për herë të parë në të paktën në 10 vjetët e fundit e kemi në kundërshtim me një deklaratë të politikës së jashtme të BE-së. Ky qëndrim lidhet me faktin se deklarata e BE-së është një deklaratë e cila jo se në vetvete ka problem, pasi adreson gjithçka që është thënë më parë nga përfaqësuesi i lartë Borrell lidhur me detyrimet e Kosovës në raport me dialogun, por ka një problem të madh që nuk i përgjigjet realitetit të ditëve të fundit. E kemi të pamundur të linjëzohemi me BE-në pa parë një deklaratë të dytë që adreson problematikën e ditëve të fundit ku ka ndodhur një zhvillim dramatik pasi është vrarë një efektiv i policisë së Kosovës nga një grup kriminal që ka qenë qartësisht i investuar për të ushtruar terror në veriun e Kosovës, gjë që është pasuar nga shpallja e një ditë zie kombëtare në Beograd. Kjo për ne është e papranueshme, është e pajustifikueshme, madje është e dënueshme, sepse është jo-evropiane dhe sepse njëkohësisht është sinjali më i keq që Serbia mund të jepte në këtë moment për gjithë rajonin dhe për Evropën”, ka thënë Rama.
Kryeministri i Shqipërisë tutje ka thënë se kanë kërkuar nga BE-ja dhe komuniteti euroatlantik ta vënë alarmin demokratik në nivelin më të lartë dhe t’i kthejnë përgjigjen e duhur veprimeve të Beogradit.
“Kemi kërkuar që BE-ja dhe i gjithë komuniteti euroatlantik të vërë alarmin demokratik në nivelin më të lartë dhe të përdorë të gjithë instrumentet në dispozicion për t’i kthyer mesazhin e duhur këtij mesazhi krejtësisht të papranueshëm që vjen nga shpallja e ditës së zisë kombëtare në Beograd. Deri në momentin, kur nuk do të ketë një deklaratë të dytë të BE-së për të vendosur me drejtësi një gjykim për ditët e fundit, ne nuk do të linjëzohemi me deklaratën e parë. Nëse deklarata e dytë bën këtë që po them, dhe nëse ajo e bën këtë që kërkojmë nuk kemi asnjë problem të linjëzohemi me deklaratën e parë sepse pavarësisht se çfarë bën Serbia, gjë për të cilën kemi punë me Serbinë, ne nuk heqim asnjë presje të gjitha kërkesave të BE-së dhe komunitetit euroatlantik për Kosovën. Në këtë pikë linja jonë është 100% e BE-së dhe komunitetit euroatlantik. E përsëris ky është momenti për të dënuar me zë të lartë atë që ka ndodhur në veriun e Kosovës dhe atë që ka pasuar në Beograd me shpalljen e ditë zie kombëtare që heroizon angazhimin e një grupi kriminal për të ushtruar terror në veriun e Kosovës”, u shpreh Rama.