Arbëri

Rafuna: Rritja ekonomike për vitin 2023 do të jetë rreth 4%, s’do të mbesim pa rezerva shtetërore

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna në një intervistë për Ekonomia Online, ka komentuar buxhetin e vitit të ardhshëm. Ai ka thënë se që nga viti 2008 çdo vit ka pasur ngritje të buxhetit.

Por sipas tij, rëndësi kanë investimet kapitale, që do të jenë mbi 800 milionë euro, ndonëse shpreh skepticizmin se a do të zbatohen ato mjete.

“Në Kosovë që nga viti 2008 çdo vit ka pasur ngritje te buxhetit. Tani çështja është brenda strukturës së buxhetit se ku ka rritje më të mëdha dhe ku shkojnë. Pjesa që na intereson më shumë është pjesa e investimeve kapitale. Aty ka pasur ngritje mbi 100 e diçka milionë euro, tash 800 e diçka milionë. Por a do të implementohen gjitha projektet kapitale të parapara. Shpresoj që rasti që ndodhi këtë vit të mos ndodhë edhe vitin e ardhshëm, ku pati shumë pak shpenzime në investime kapitale”.

Sipas tij, Kosova nuk do të mbesë pa rezerva shtetërore, për vitin 2023 rritja ekonomike parashikohet të jetë 4%, raporton EO.

“Nuk mendoj se do të mbesim pa rezerva shtetërore. Rritja ekonomike parashihet të jetë 3.5%, maksimumi 4%. Nuk besoj ne krizë të thellë ekonomike, sepse çmimet e derivateve të naftës ka filluar të bjerë. Edhe shoh sfidë të madhe për bizneset tona sepse kanë probleme me energji elektrike. Po ashtu do të jetë mungesa e fuqisë punëtorë dhe inflacioni”, tha Rafuna./EO