Arbëri

Radoniqi: Të dielën qytetarët ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar lirshëm dhe me përgjegjësi

KQZ

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, ka përcjellë një mesazh për qytetarët në prag të zgjedhjeve lokale që do të mbahen të dielën, më 12 tetor, në të gjithë territorin e Kosovës.

Në emër të KQZ-së, Radoniqi u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote që të marrin pjesë në procesin zgjedhor dhe të shprehin lirshëm vullnetin e tyre demokratik.

“Ftojmë të gjithë qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe demokratike: të votojnë dhe të zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Pjesëmarrja juaj është e një rëndësie të veçantë, andaj ju bëjmë thirrje të bëheni pjesë e këtij procesi”, ka deklaruar Radoniqi.

Ai po ashtu ka apeluar për përgjegjësi dhe profesionalizëm nga të gjithë anëtarët e këshillave të vendvotimeve.

“Ju bëjmë thirrje që të veproni me përgjegjësi, profesionalizëm dhe paanshmëri, duke respektuar në përpikëri procedurat ligjore dhe rregullat zgjedhore, në mënyrë që vullneti i qytetarëve të garantohet dhe të mbrohet plotësisht”, theksoi ai.

Në mesazhin e tij, kryetari i KQZ-së nënvizoi se institucioni që udhëheq po bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë e Shtetit, për të garantuar një proces të qetë, të drejtë dhe të sigurt në të gjitha komunat e vendit.

Në mbledhjen e mbajtur të shtunën, KQZ-ja ka njoftuar se numri i votuesve të regjistruar për votim përmes ekipeve mobile është 3,467, prej të cilëve 1,508 janë votues të ngujuar në shtëpi e 1,956 janë votues në institucione (klinika shëndetësore, shtëpi të të moshuarve, qendra të paraburgimit, qendra korrektuese, etj.), ndërsa tre janë votues në arrest shtëpiak.

Anëtari i KQZ-së, Ilir Gashi, shpreson që procesi i votimit të zhvillohet pa pengesa.

“Po shpresoj që nesër të shkojë mirë dhe mbarë”, ka thënë ai, duke kërkuar që ekipet mobile të dërgohen me kohë për të siguruar që votimi të përfundojë në orën 19:00.

Ndërkohë, Arianit Elshani u ka bërë thirrje qytetarëve që të verifikojnë paraprakisht vendin ku do të votojnë, pasi ka pasur ndryshime në disa vendvotime.

“Kemi pasur ndryshime të listës së votuesve për shkak të databazave të reja që kemi pranuar. Ka pasur ndryshime të vendvotimeve”, sqaroi Elshani.

Anëtari tjetër, Sami Kurteshi, ka kërkuar sqarime lidhur me procesin e shpalljes së rezultateve preliminare, ndërsa u njoftua se gjatë ditës do të bëhet prezantimi i platformës teknologjike për publikimin e rezultateve.

“Platforma i plotëson të gjitha kriteret dhe është funksionale. Shpresojmë që të mos ndodhë ajo që ndodhi më 9 shkurt, por angazhimi i stafit në këta tre muajt e fundit ka qenë jashtëzakonisht i madh”, ka sqaruar KQZ-ja.