Brenda një viti, gjyqtari Kreshnik Radoniqi nga Apeli është paguar afro 27 mijë euro, por për gjashtë muajt e parë të këtij vitit nuk ka trajtuar as një lëndë. Sikurse Radoniqi, që është edhe kryesues në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, janë edhe gjyqtarët të cilët që nga viti i shkuar kanë braktisur postet e tyre. Por, në Gjykatën e Apelit, ka gjyqtarë që për periudhën e njëjtë kanë trajtuar deri në 257 lëndë.
As edhe një lëndë nuk ka trajtuar për gjashtë muaj, gjyqtari i Gjykatës së Apelit, Kreshnik Radoniqi, njëherësh edhe kryesuesi i KQZ-së.
Në raportet e Gjykatës së Apelit për gjysmën e parë të vitit të 2023, emri i Radoniqit është i renditur në mesin e gjyqtarëve në tri departamente, atë special, për krime të rënda e penale të ndryshme.
Por, numri i lëndëve të trajtuara që nga janari e deri në qershor është zero.
Kolegë të Radoniqit në të njëjtat departamente, sipas raportit të Gjykatës, për periudhën e njëjtë kanë trajtuar deri në 179 lëndë derisa në departamente të tjera të Apelit, ka gjyqtarë që kanë trajtuar deri në 257 lëndë.
Në Gjykatën e Apelit kanë thënë se Radoniqi është i liruar nga ngarkesa me lëndë gjatë kohës së zgjedhjeve, por jo edhe nga angazhimet e tij si anëtar i kolegjeve gjykuese.
“Përndryshe, siç mund ta dini, kryesuesi aktual i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Republikës së Kosovës (KQZ), është gjyqtari i Gjykatës së Apelit, Kreshnik Radoniqi, i cili përveç përgjegjësisë së tij në KQZ, vazhdon t’i kryejë obligimet e tij edhe në Gjykatën e Apelit, në cilësi të anëtarit të kolegjeve përkatëse, pasi që sa herë që ka organizime rreth mbajtjes së zgjedhjeve eventuale, i njëjti ad hoc për një periudhë të caktuar me vendim të kryetarit të Gjykatës së Apelit, lirohet nga ngarkesa me lëndë në kuptimin e të referuarit të tyre, por jo edhe në kuptim të të qenit anëtar i kolegjeve përkatëse”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Në deklarimin e pasurisë për këtë vit, Radoniqi si gjyqtar ka deklaruar pagë vjetore 26 mijë e 692 euro e 76 cent, derisa si kryesues i KQZ-së 7 mijë e 923.26 euro.
Me pjesëmarrje në kolegje e trupa të tjera, nga kjo gjykatë është arsyetuar edhe pagesa e Radoniqit, përkundër mostrajtimit të asnjë lënde për gjashtë muaj.
“Çështja e pagës në rastet kur një gjyqtar lirohet nga obligimet në gjykatë për një periudhë të caktuar, rregullohet me Ligjin për Gjykatat Nr. 06/L - 054 dhe ligjet e tjera sistematike të cilat e rregullojnë këtë fushë. Gjithsesi duhet sqaruar se, siç edhe u cek më lartë, pavarësisht angazhimeve të tyre eventuale edhe me përgjegjësi shtesë, ata vazhdojnë të punojnë si gjyqtarë në gjykatën tonë, prandaj rrjedhimisht edhe marrin pagë për punën e tyre si gjyqtarë”, thuhet në përgjigje.
Krahas Radoniqit, në listën e gjyqtarëve që për gjashtë muaj nuk ka trajtuar asnjë lëndë, janë gjashtë gjyqtarët serbë që janë dorëhequr në fund të vitit të shkuar.
Lidhur me performancën e tij, KOHA nuk ka arritur të marrë një përgjigje nga gjyqtari Kreshnik Radoniqi.
Mostrajtimi i asnjë lënde për gjashtë muaj nga gjyqtarët e Apelit, sipas avokatit Arbër Jashari, ndikon në performancën e vetë gjykatës.
“Nëse i kemi katër gjyqtarë ose pesë që kanë performancë zero atëherë në fund të vitit kemi sigurisht 300-400 lëndë më pak të kryera dhe kjo reflekton drejtpërdrejt te qytetarët, tek të drejtat e qytetarëve sepse zvarritja e lëndëve i prek ata”, tha ai.
Sipas raportit për periudhën janar-qershor, Gjykata e Apelit ka zgjidhur 8 mijë e 844 lëndë nga gjithsej 24 mijë e 832 sa ka në trajtim, prej së cilave mbi 15 mijë e 382 lëndë nga vitit i kaluar.
Sipas Jasharit, Gjykata për këtë periudhë nuk është treguar efikase në trajtimin e lëndëve, çka do të ndikojë në rritjen e atyre që do të barten vitin e ardhshëm.
“Gjykata e Apelit duhet të zgjidhë të gjitha lëndët që kanë ardhur brenda një periudhe kohore, këtë rast gjashtë mujorit, por duhet të zgjedhë 20-30 % më shumë se sa kanë arritur në mënyrë që numri i lëndëve të trashëguara të zvogëlohet”, theksoi ai.
Lidhur me normën që një gjyqtar duhet të përmbushë e masat ndaj atyre që nuk e bëjnë një gjë të tillë, nuk janë përgjigjur në Këshillin Gjyqësor të Kosovës.