Arbëri

Intervistohet nga Policia qytetari që u konfrontua me Fitore Pacollin

Qytetari konfrontohet me Pacollin në një kafene: Ti je hajdute

(E përditësuar 20:20) - Policia e Kosovës ka njoftuar se ka intervistuar qytetarin që u konfrontua me deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, në një kafene të Prishtinë të premten.

Sipas njoftimit, rasti ndaj tij është hapur për veprën penale “kanosja”.

Njoftimi i Policisë:

Referuar këtij rasti, i dyshuari është ftuar për intervistim nga ana e policisë dhe me rekomandimin e prokurorit të shtetit ndaj tij është iniciuar një hetim në drejtim të veprës penale ‘’Kanosja’’ dhe i njëjti më pas është  proceduar i lirë.


Qytetari konfrontohet me Pacollin në një kafene: Ti je hajdute

(18:57) - Një qytetar është konfrontuar me deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, gjatë të premtes pasdite në një kafene në kryeqytet.

Qytetari fillimisht ia jep faturën me aludimin që ta paguajë Pacolli dhe i thotë: “Qe këtë faturë se i ke bo miliardat”.

Më pas, ai vazhdon: “A të kujtohet kur ju thojshe hajna atyre, shtini në burg... ju çka jeni? Marre, marre. Këtë shtet po e vidhni. Çka ka policia? Hajne, hajne, ti je hajdute”, dëgjohet të thotë ai.

Ndërkohë pas disa sekondash, Pacolli u ngrit në këmbë dhe i drejtohet qytetarit: “S’tutna prej teje, nuk guxon as mem prek”.

Nga VV-ja kanë thënë se personi që u përball me Pacollin është "militant i opozitës".

VIDEO:

Ka pasur raportime se familjarë të Pacollit, vëllai dhe daja i saj, kanë përfituar grante nga Ministria e Bujqësisë. Së fundmi, u raportua se edhe burri i Pacollit ka marrë 52 mijë euro nga Ministria e Kulturës.

Vetë deputetja në një reagim e ka mohuar se burri i saj ka përfituar nga Ministria e Kulturës, duke thënë se ai moti nuk është pjesë e organizatës që ka marrë fonde, edhe pse ka qenë dikur bashkëthemelues. Ajo ka shtuar se sulmet ndaj saj nuk e ndalin. 

Lidhur me incidentin, KOHA ka dërguar pyetje në Policinë e Kosovës. 

Pacolli: Videoja është manipuluar, agresori sulmoi asistentin tim dhe mund të ketë pasur armë

14 o. më parë / 25 kor 2025 21:44
Pacolli: Videoja është manipuluar, agresori sulmoi asistentin tim dhe mund të ketë pasur armë

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka reaguar pas përhapjes së një videoje në rrjetet sociale, duke deklaruar se ajo është e manipuluar dhe nuk pasqyron të gjithë ngjarjen që ka ndodhur në ambientet e lokalit “Home”.

Videoja ku një qytetar i afrohet Pacollit në një kafene dhe më pas i drejtohet me fjalët “ti je hajne, hajne” ka bërë bujë në rrjetet sociale. Qytetari është intervistuar në Polici dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt, por po hetohet për “kanosje”. Deputetja ka thënë se ky qytetar është Agim Pllashniku, që sipas saj, njihet për të kaluarën e tij të dhunshme.

Sipas Pacollit, incidenti nuk ishte i rastësishëm, por i organizuar dhe i koordinuar.

“Videoja që po qarkullon është incizuar nga gruaja ose vajza e tij, që do të kandidojë për PSD-në në asamblenë komunale. Ajo është prerë dhe manipuluar për të fshehur sulmin ndaj meje dhe momentin kur agresori sulmon fizikisht asistentin tim. Në video mungon edhe çasti kur ai tenton të fusë dorën në çantën që mbante me vete, për të cilën dyshohet se mund të ketë pasur armë”, ka shkruar Pacolli në një reagim.

Ajo ka thënë se sjellja e Pllashnikut ishte kërcënuese dhe se ai i është afruar me ton provokues në tavolinën ku ishte ulur. Sipas saj, dëshmitarë të incidentit ishin edhe përfaqësues të Avokatit të Popullit, përfshirë vetë Avokatin e Popullit, si dhe zyrtarë policorë në uniformë që ndodheshin në lokal.

Pacolli ka kritikuar disa portale dhe analistë, të cilët sipas saj po e paraqesin ngjarjen në mënyrë të shtrembëruar.

“Portale dhe individë të financuar nga oligarkë po tentojnë të portretizojnë agresorin si viktimë. Ata janë shndërruar në instrumente të dhunës së organizuar kundër meje, duke përhapur urrejtje, kërcënime dhe thirrje për sulme politike e psikologjike”, thekson ajo.

Në fund, Pacolli është shprehur se nuk do të tërhiqet nga angazhimi i saj politik, pavarësisht kërcënimeve.

“Unë nuk do të frikësohem. Nuk do të hesht. Nuk do të tërhiqem. Do të vazhdoj, sypatrembur dhe e palëkundur, rrugën time të drejtë”, ka përfunduar ajo.

VIDEO: