Arbëri

Qytetarët shpërfillin urdhëresat e kryetarit të Podujevës e Obiliqit

Foto: Koha / ilustrim

Qytetarët e Komunës së Podujevës dhe ata të Obiliqit nuk i kanë përfillur urdhëresat e kryetarëve të tyre për të mos i përdorur mjetet piroteknike në hapësirat publike. Krisma të shumta janë dëgjuar nga këto mjete nëpër vende publike edhe gjatë këtyre ditëve sa kryetarët e dy komunave i kishin ndaluar: nga 22 dhjetori 2021 deri më 3 janar 2022 për Podujevë dhe nga 26 dhjetori 2021 deri më 2 janar 2022 për Obiliq.

KOHA ka kërkuar përgjigje nga zyrtarët e të dyja komunave nga dita e premte e javës së shkuar, për mosrespektimin e këtyre urdhëresave nga ana e qytetarëve, nëse inspektorët kanë bërë kontrolle dhe kanë shqiptuar gjoba, por të njëjtit kanë heshtur.

Në urdhëresat e të dy kryetarëve për shkelësit parashiheshin gjoba deri në 100 euro.

“Personat të cilët veprojnë në kundërshtim me dispozitat e kësaj urdhërese do të gjobiten në përputhje me rregullativën ligjore në fuqi...”, thuhej në urdhëresën e kryetarit Shpejtim Bulliqi.

Ndërsa, kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi e kishte specifikuar edhe shumën e gjobës prej 100 eurove për ata persona që veprojnë në kundërshtim me dispozitat e kësaj urdhërese.

Megjithëse, këtyre urdhëresave tashmë u ka skaduar afati, nuk dihet nëse dikush prej shkelësve është gjobitur. Ajo që tashmë dihet, këto urdhëresa nuk janë përfillur fare nga ana e qytetarëve të të dyja komunave.