Me rastin e ndërrimit të motmoteve, qytetarët e Kosovës janë shprehur optimistë që lufta me pandeminë COVID-19 të marrë fund gjatë këtij viti.
Duke besuar se ky virus do të zhduket sa më shpejtë, qytetarët kanë shprehur dëshirën që ky vit të jetë më i mbarë edhe në fushën e ekonomisë dhe të politikës.
Bajram Begolli, është një qytetar që beson shumë se në këtë vit do të ikë pandemia COVID-19 dhe Kosova do shënojë rritje ekonomike.
“Viti 2022 ka me pas ndryshime se besoj që edhe COVID-i do të ikë që ka qenë një e keqe për gjithë botën edhe e dyta ka filluar ekonomia e vendit të përparojë dhe të ecë. Sivjet kemi pasur ngritje dyshifrore në eksport që është një lajm shumë i mirë për ekonominë e vendit tonë sepse kur nuk ka ekonomi të mirë nuk ka as jetë të mirë”, ka thënë ai për KSP.
Ndërkaq, Edmond Kristo nga Shqipëria kishte zgjedhur që ndërrimin e viteve ta festojë në Kosovë. Sikurse Begolli, edhe ai ka uruar që këtë vit të përfundojë beteja me pandeminë COVID-19. Derisa, për Kosovën dhe Shqipërinë uroi të që jenë pranë njëra-tjetrës, pasi sipas tij, dy vendet janë më të forta së bashku.
“Të zhduket pandemia edhe suksese të dyja vendeve shqiptare dhe të Kosovës të jemi sa më parë njëri-tjetrit dhe sa më bashkë dhe kjo do të na bëjë më të fortë…Për mua është e rëndësishme bashkimi i zemrave dhe i gjuhës që kemi pastaj gradualisht do të vijë gjithçka”, theksoi Kristo.
Edhe
56 për qind e kosovarëve besojnë se 2022-shi do të jetë më i mirë se viti paraprak
Krahas këtyre urimeve, regjisori Visar Bajgora thotë se dëshiron që telashet që ka sjellë kriza energjetike, për çka pati edhe reduktime të rrymës, të mos ekzistojnë në vitin 2022. Por, thekon nevojën edhe për përmirësime në drejtësi dhe arsim.
“Presim shumë më shumë se viti i kaluar. Vetëm një kualitet të jetës ta kemi më të mirë, gjërat elementare, energji, ujë, rrymë e arsim, drejtësi, nuk duhet asgjë më shumë”, u shpreh Bajgora.