Thirrjet e shpeshta nga ana e institucioneve shëndetësore, që të mos ketë lëvizje të shpeshta të njerëzve dhe të jenë të pajisur me masa mbrojtëse, siç duket qytetarëve nuk po u bëjnë përshtypje.
Këtë të shtunë, edhe njëherë ky institucion u ka bërë thirrje qytetarëve që t’u përmbahen rregullave dhe që të mos grumbullohen pa nevojë.
Disa nga rrugët në kryeqytet këtë fundjavë kanë qenë me më shumë njerëz se ditëve të tjera. Madje, shumë pak prej tyre kishin të vendosur maska apo dorëza.
Vetë qytetarët thonë se kanë dalë për ta shfrytëzuar motin e mirë.
Lehtësimi i masave ka shtuar edhe qarkullimin e veturave në Prishtinë.
Nga Komuna thonë se daljet e shpeshta të qytetarëve mund të shkaktojnë pasoja më vonë, dhe se i kanë bërë thirrje Policisë që të mos lejojë grumbullimin e njerëzve.
Ministri i Shëndetësisë, më 30 prill, në ditën kur ka prezantuar lehtësimin e masave, ka thënë se në rast se rastet me COVID nisin të shtohet, e edhe qytetarët nuk u përmbahen rekomandimeve, masat rigoroze mund të kthehen sërish.
Më 4 maj, kur ka filluar faza e parë, në Kosovë janë hapur edhe disa biznese, e që nga 18 maji, kur edhe fillon faza e dytë e masave, pritet që të hapen edhe biznese të tjera.