Shqetësuese e raportojnë cilësinë e ajrit në Prishtinë, monitorët të cilët u vendosën disa ditë më parë.
Përveç kësaj, për qytetarët është shqetësuese se si 4 milionë euro u dhanë për publikim të të dhënave e jo për përmirësim të cilësisë së ajrit, raporton KTV.
Sipas tyre, në vend të investimeve për pajisje që bëjnë matjen e ndotjes, do të duhej të krijoheshin parqe për një ambient më të mirë.
Megjithatë, sipas MMPH-së, së pari është e rëndësishme që të bëhet evidentimi i ndotësve më të mëdhenj të ambientit. Derisa kanë sqaruar se në projektin katër-milionësh me Agjencionin japonez për bashkëpunim ndërkombëtar, nuk përfshihen vetëm monitorët, por edhe investimi në pajisje të tjera.
“Me këtë projekt, përveç ngritjes së kapaciteteve njerëzore, kanë ardhur edhe paisje për laboratore, është bërë funksionalizimi i aparturave për analiza laboratorike, si dhe kanë ardhur edhe pajisje për matjen e emetimeve të gazrave”, ka thënë Leutrim Sahiti, zëdhënës në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Përveç pajisjeve për matjen e ndotjes, në kuadër të këtij projekti pritet të bëhet edhe vlerësimi i gjendjes së kaldajave dhe elektrofiltrave në Termocentralet Kosova A dhe TC Kosova B.