Qytetarë nga vende të ndryshme kanë nisur të zënë pikat në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, për ku është thirrur sot manifestim nga Lëvizja Vetëvendosje.
Manifestimi do të nisë në orën 17:00, ndërkohë që VV-ja pret të jenë mbi 10.000 qytetarë.
VV-ja e ka thirrur këtë manifestim për të shënuar 21-vjetorin e çlirimit të Kosovës dhe 15-vjetorin e themelimit të Lëvizjes.
Ka mohuar të jetë protestë për ndodhitë e fundit në skenën politike.
VV-ja ka shënjuar pikat në shesh qysh më herët, kur mbajti “testet për protestë” dhe ka ftuar për mbajtje të distancës.
Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka paralajmëruar rrezikun që mund të sjell ky tubim në përhapjen e koronavirusit.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se shpreson që ky tubim të mos ketë efektin e ndeshjes së Ligës së Kampionëve ndërmjet Atalantas dhe Valencias, që besohet se i kontribuojë shpërthimit të virusit në Itali dhe më gjërë.
“Të nderuar qytetarë, të vazhdojmë të jemi të kujdesshëm!
Të mendohet vetja mbi Zotin, e të paushallizohet mundësia e infektimit me virusin Covid-19, pandemi kjo më e madhe që ka goditur ndonjëherë botën, sikurse të injorohen këshillat e mjekëve dhe ekspertëve të shëndetësisë që çdo ditë porosisin që ne të mbajmë distancën sociale, është e njëjtë sikurse një amator i papërvojë t’ia mësyjë e të ec me majat gishtave të këmbëve në tel. Kjo, sa do të ishte e mundur aq edhe e rrezikshme për të arritur në finish. Pardje, miqtë tanë të ambasadës së SHBA-së dhanë paralajmërimin se: ‘Tubimet në numra të mëdhenj mund të shndërrohen në super-ngjarje të përhapjes së COVID-19’. Njëjtë e thonë çdo ditë dhe mjekët tanë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës. Virusi transmetohet nga njëri tek tjetri. Nëse organizohen tubime të qytetarëve, do të ishte pretekst të shkaktohej një dergje e madhe nga virusi. Dashtë Zoti të mos përsëritet rasti i 19 shkurtit që ndodhi në stadiumin San Siro në Milano të Italisë, ku u infektuan me koronavirus 40.000 tifozët, si rezultat i kontakteve në mes tyre, të cilët e kishin ndjekur ndeshjen e futbollit Atalanta – Valencia”, ka shkruar Zemaj.