Arbëri

Quni thotë se dërgimi i FSK-së jashtë vendit bëhet me marrëveshje të veçantë

fsk

Ministri i në detyrë Mbrojtjes, Anton Quni, ka thënë për KOHËN se dërgimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit do të saktësohet përmes një marrëveshjeje ndërkombëtare të re.

“Aranzhimet specifike lidhur me numrin, kostot e ndara financiare, misionet specifike paqeruajtëse ku do të zbarkojnë trupat si dhe aspektet tjera lidhur me realizimin e obligimeve të ndërsjella ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së do të specifikohen në një marrëveshje të veçantë”, ka thënë Quni për KOHËN.

Ndërkohë më 6 nëntor, në një konferencë për media, gjenerallejtënant Rrahman Rama ka konfirmuar se plani është për nisjen e trupave në mars dhe i ka përmendur si vende të mundshme Irakun dhe Kuvajtin.

Quni, nga ana tjetër, nuk e ka konfirmuar apo pohuar nëse dy shtetet ku pritet të dërgohen trupat e FSK-së janë në Lindjen e Mesme (ku ndodhen këto dy shtete). Ai ka thënë se “po bashkërendon veprimet ndër-institucionale dhe diplomatike me SHBA-në, në mënyrë që të bëhen përgatitjet e nevojshme”.