Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Quni: Kurti e ka armë të fortë dialogun, tërheqja do t’i bënte shërbim Beogradit

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, ka deklaruar se largimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti nga dialogu me Serbinë do t’i shërbente Beogradit.

Ai ka deklaruar të mërkurën se dialogu është arma më e fuqishme që Kurti aktualisht e ka në duar përballë Serbisë e presidentit Aleksandar Vuçiq.

“Nëse do i kryenim shërbim politikëbërjes së Beogradit do të ishte tërheqja nga dialogu. Tani Kurti ka një armë më të fuqishme e mund të ulët me mburrje përball njërit që i ka futur thikë dialogut, ndërmjetësuesve e të gjithë atyre që kanë shprehur një lloj vlerësimi të lartë për rolin e Vuqiqit në dialog”, ka thënë Quni në “60 Minuta” të KTV-së.

Sipas tij, sulmet serbe në veri mund të përsëriten, pasi siç ka thënë ai, atyre iu duhet pak kohë për ta marrë veten.

“Atyre iu duhet pak kohë të marrin veten, një pjesë e tyre jam i bindur se shfaqin pakënaqësi ndaj zinxhirit komandues, por është një numër më i qëndrueshëm dhe kërkojnë të rikthehen edhe më fuqishëm. Por, me kapacitetet tona, formacionet e përmasave të tilla, djemtë tanë janë të gatshëm të përballen”, është shprehur Quni.

Deputeti i LDK-së, njëherit anëtar i Komisionit Parlamentar për Siguri, ka potencuar se Serbia ishte prapa sulmit të se dielës ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, e siç ka thënë ai, Beogradi e ka përgatitur ushtarakisht, financiarisht, logjistikisht e në të gjitha mënyrat.

“Ai armatim është dedikuar për dikë, nuk ishte i vetëm për ata pjesëtarë. Edhe nëse bëhet kalkulimi i thjeshtë llogaritet që së paku për këtë operacion ka qenë një kompani 150-200 pjesëtarë. Ky formacion ku ka qenë i vendosur e pse s’ka arritur të bashkohet me teknikët, është çështje e organeve të hetuesisë ta zbardhin”, ka thënë Quni.

Edhe Kurti për dialogun: Pa u dorëzuar Radoiçiqi e tërhequr letra e Bërnabiqit s’ka takim të nivelit të lartë Arbëri Kurti për dialogun: Pa u dorëzuar Radoiçiqi e tërhequr letra e Bërnabiqit s’ka takim të nivelit të lartë

Sipas deputetit opozitar, banorët serbë në veri janë furnizuar tash e një kohë me armatim, e aktivitetet e tilla, sipas tij, i kanë kamufluar me organizime sportive.

Quni ka shtuar se koordinimi i Kosovës me aleatët duhet të jetë i pashmangshëm.

“Bazuar në kapacitetet tona duhet menduar të gjitha situatat a mund t’i menaxhojmë, bazuar në kënd kemi përballë. Ne duhet të kemi bashkëpunim pa rezerva me partnerë tanë strategjikë. Përkundër që kemi djemtë e motivuar, janë të gatshëm të tregojnë veten...mund të krijohet situata që me kapacitetet tona s’mund t’i përballojmë, e edhe nëse i përballojmë i përballojmë me një çmim të lartë. Duhet të kemi bashkëkoordinim dhe bashkëpunim me partnerët strategjikë.”