Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, ka shpërthyer ndaj kolegëve të tij, veçanërisht ndaj atyre të Lëvizjes Vetëvendosje, në seancën e së enjtes në Kuvendin e Kosovës. Quni ishte i nervozuar me mosvotimin e Fadil Hadërgjonajt si komisioner parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Gjatë dy tentimeve të mërkurën në Kuvend, Fadil Hadërgjonaj dhe kandidatët e tjerë nuk morën votat e mjaftueshme për të marrë pozitën e komisionerit parlamentar për FSK-në.
Quni gjatë fjalimit të tij ka shpjeguar luftën heroike të Hadërgjonajt, ndërsa ka kritikuar deputetët se për ta “vetëm luftëtari i vdekur është i mirë”.
“Përpjekja për zgjedhjen e një komisioneri parlamentar për FSK-në po zgjat qe një dekadë. Dje, pas 10 vjetëve, këtë besim kemi mundur t’ia japim njëri prej kandidatëve. Të gjithë kandidatët i plotësonin kushtet për ta ushtruar këtë detyrë me përgjegjësi të lartë. Por për njërin prej tyre mundemi me fol me të drejtë dhe përgjegjësi sepse e njohim nga ditët e vështira për kombin tonë. Është fjala për gjeneral Fadil Hadërgjonaj, i njohur me nofkën e luftës ‘Bjeshka’. Ushtarak karriere dhe fitues i të gjitha betejave në luftën e UÇK-së. Një nga protagonistët kryesor në betejën e Loxhës dhe Koshares. Të gjitha i përballoi pa u zmbrapsur asnjë pëllëmbë. Sepse po e mbronte nderin e kombit. Shkenca nuk mundet me shpjegu se si arriti Fadili të mbijetonte”, ka thënë Quni.
“Shumica prej jush vizitoni ushtarët të rënë në beteja, por një pjesë e juaja nuk e keni në zemër, nuk keni dhembshuri për ato ngjarje. E keni farsë dhe mashtrim. Ju që nuk votuat apo që fletëvotimet i bëtë të pavlefshme, jeni vetë të pavlefshëm. E kuptoj pse Fadili është gjallë, që ju të përballeni me testin e së vërtetës dhe të kuptoni se sa të pavlefshëm dhe të pamoralshëm jeni. Për ju, vetëm luftëtari i vdekur është i mirë. Do t’iu mbulojë turpi para familjeve tua dhe atyre që ju besuan. Fadilit në luftë e në paqe, prindërit ia kanë besu jetën e fëmijëve të tyre dhe ju nuk ja besuat që si komisioner të kujdeset për ushtarët tanë”, ka shtuar ai.
“Nuk e di se si do të keni kurajo të vini në përvjetor në Koshare, kur ju nuk respektoni komandantët e tyre dhe heroin e tyre të gjallë. Turp ju qoftë. Fadili do të vazhdojë të jetojë me krenari dhe ju do të vazhdoni të jetoni me turpin”, ka thënë Quni drejtuar deputetëve.