Arbëri

QPS-ja në Lipjan dështon t’i trajtojë rastet sociale dhe fëmijët pa përkujdesje prindërore

Qendra për Punë Sociale në Komunën e Lipjanit është akuzuar për mostrajtim të barabartë të familjeve skamnore dhe fëmijëve pa përkujdesje prindërore.

Vetëm në një objekt, që gjendet në fshatin Magurë të Lipjanit, jetojnë 22 familje skamnore, të cilat po përballen me kushte të rënda ekonomike. E disa prej tyre kanë akuzuar udhëheqësit e QPS-së se po i diskriminon sa herë që shpërndahen paketa ushqimore. Sipas banorëve, ky institucion madje edhe listat për mbështetje të nevojtarëve po i përgatit sipas ngjyrimeve politike, shkruan sot Koha Ditore.

Ndërkohë zyrtarët e këtij institucioni edhe në të kaluarën janë kritikuar për mosrespektim të orarit të punës dhe përplasje verbale me qytetarë.

Kurse gjatë së dielës, partia më e madhe opozitare, PDK-ja dega në Lipjan, ka vizituar dhjetëra familje skamnore dhe disa fëmijë pa përkujdesje prindërore, ndërkaq ka konsideruar se institucionet komunale nuk po ofrojnë ndihma elementare për mbijetesën e tyre, megjithëse ekziston mundësia të ndahej një buxhet i veçantë për ndihma emergjente.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)