Arbëri

Qorrolli: Specialja synon të baltosë disa individë të caktuar

Analisti Vigan Qorrolli në “Raport” të KTV-së ka thënë se Gjykata Speciale synon të baltosë disa individë të caktuar.

Ai thotë se ushtarët dhe udhëheqësit e UÇK-së duhet të ndihen krenarë për atë periudhë pasi ishte një luftë e drejtë dhe e pastër.

“Thaçi, Veseli dhe komplet elita politika që kanë dalë nga UÇK-ja duhet të ndihen krenarë sepse ka qenë luftë e drejtë pasi një luftë e tillë qëllimin e ka pas luftimin e represionit serb këtu”, ka thënë Qorrolli.

Ai pret që të ketë deklarata edhe nga shtetet e fuqishme se Gjykata Speciale synon që të gjykojë individët e jo UÇK-në.

“Gjykata synon të baltosë disa individë të caktuar, dhe shpresojmë që të dalin të pafajshëm, por megjithatë do të kemi deklarata të tilla nga SHBA-ja se do të gjykohen individët dhe jo UÇK-ja e Kosova”, ka thënë ai.

Kurse gazetari i KOHË-s, Fitim Gashi, ka deklaruar se ishin pikërisht Thaçi, Veseli e Haradinaj ata që kishin tentuar ta shfuqizonin Specialen, pasi ishin frikësuar se do të ndiqeshin nga ajo.

“Nëse kthehemi prapa e shohim se qoftë Thaçi, Haradinaj e Veseli kanë tentuar të zhbëjnë Specialen, por pati një angazhim të madh të ndërkombëtarëve, veçmas të ambasadorit amerikan. Haradinaj e pati thënë se kanë tentuar ta shfuqizojnë pasi i frikësoheshin asaj”, ka thënë Gashi.