Analisti politik, Vigan Qorrolli, ka thënë se sinqeriteti dhe qartësia e partive politike me popullin në prag të zgjedhjeve është shpenzim i demokracisë.
Ai në një postimi në Facebook ka shkruar se elita politike e Kosovës e ka për detyrim të komunikojë me popullin, ndonëse ata nuk e bëjnë.
“Duke qenë se elita politike në Kosovë e ka për detyrim të komunikojë me sinqeritet të plotë me popullin e Kosovës, gjë që nuk e bën, për atë çka ata bëjnë dhe si e bëjnë, madje edhe për gjërat që nuk i bëjnë dhe për këtë duhet të thonë se pse nuk i bëjnë – atëherë sinqeriteti dhe qartësia me popullatën e Kosovës — në prag të zgjedhjeve parlamentare 2019 — janë një lloj shpenzimi i demokracisë”, ka shkruar ai.
Sipas Qorrollit, deputetet që aspirojnë të hyjnë në parlament duhet t’i informojnë votuesit e tyre se çfarë do të bëjnë me temat aktuale që e rëndojnë vendin, siç janë korrupsioni, dialogu me Serbinë, papunësia e ikja e të rinjve.
Derisa të përmbushen këto kritere, ai thotë se, Kosova nuk do të jetë shtet demokratik.
Aspirantët për të hyrë në parlament duhet t’i thonë qartësisht votuesve të tyre se çka do të bëjnë me korrupsionin egalitar në vend, për dialogun e pafund me Serbinë, për dialogun e brendshëm politik me partitë e tjera, për papunësinë, për ikjen (emigrimin) e të rinjve në perëndim, për pasurimin e oligarkëve, etj, etj. Deri atëherë Kosova nuk do jetë një shtet demokratik, aty ku sundon ligji dhe ku ekonomia nuk është monopol i një grushti njerëzish të lidhur me pushtetin”, ka shkruar ai.
Ai tutje thotë se ky është kuptimi kur shteti është në simbiozë me qytetarin e vet dhe krijon raporte të shkëlqyeshme mes vete.