Arbëri

QMF-ja në Henc, në mungesë të stafit, përdoret nga banorët për qëllime tjera

Objekti i QMF-së në fshatin Henc të Fushë-Kosovës po shfrytëzohet nga banorët për nevoja të ndryshme të tyre. Tash e një kohë banorëve po u duhet të mjekohen në qendrat e fshatrave përreth.

Ata thonë se janë të detyruar të udhëtojnë deri në 7 kilometra, edhe në raste urgjente, raporton KTV.

Sipas shefit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Fushë-Kosovë, Remzi Shala, arsyeja e mosfunksionimit të kësaj qendre, është mungesa e stafit mjekësor dhe numri i vogël i banorëve.

Me kalimin e kohës, ky objekt është vandalizuar dhe është keqpërdorur. Për të shmangur dëmtimin e mëtejmë, banorët e fshatit Henc, me anë të peticioneve kanë kërkuar që të ridestinohet qëllimi i përdorimit të këtij objekti.

Me vendim të Kuvendit Komunal të Fushë-Kosovës, ky objekt tani përdoret për qëllime tjera, ndërsa janë larguar edhe pajisjet mjekësore.