Arbëri

QIKA kritikon Haxhiun: Nuk është punë prezence në protestë, është mungesë veprimi

Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion ka kritikuar ministrat Albulena Haxhiu dhe Xhelal Sveçla për prezencën e tyre në protestën e aktivistëve të mbrojtjes së të drejtave të grave, pas vrasjes së 18-vjeçares në Ferizaj.

Sot aktivistët protestuan para Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Punëve të Brendshme. Teksa kanë kërkuar trajtim urgjent të rasteve të vrasjes së grave dhe parandalim të tyre, protestuesit u përcollën nga dy ministrat.

Në një reagim të mëvonshëm, QIKA ka thënë se pjesëmarrja e tyre në këtë protestë është e pakuptimtë dhe e pavend, “ashtu siç janë edhe deklaratat e tyre shfajësuese (përligjëse) për rastin e vrasjes së Marigona Osmanit”.

“Para se të jetë fizikisht në protestë, ministrja duhet të jetë para strategjisë së munguar tash e tetë muaj. Strategjia kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje 2016-2020, ka skaduar në dhjetor të vitit 2020, e cila edhe ashtu është zbatuar vetëm pjesërisht. Ministria e Drejtësisë është përgjegjëse për draftimin dhe zbatimin e kësaj strategjie”, ka thënë QIKA për ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Në fund QIKA ka thënë se nga ministrat kërkohet përgjegjësi e jo rehati për të protestuar kundër institucioneve që vetë i drejtojnë.

“Kërkesat e parashtruara sot në protestë nuk kanë nevojë për mbështetje por realizim. Kjo është detyra juaj. Me konsensus nuk arrihet drejtësia, as barazia. Betejat vazhdojnë”, përfundon reagimi.