Të padrejtë e ka cilësuar Qeveria paralajmërimin e Bashkimit Evropian për shtimin e masave ndëshkuese ndaj Kosovës. Në Zyrë të Kryeministrit thanë se veprimet të cilat bashkësia ndërkombëtare po i konsideron si të njëanshme dhe të pakoordinuara, janë çështje të sundimit të ligjit, për çka thanë se e presin mbështetjen e BE-së dhe SHBA-së. E disa nga njohësit politikë vlerësojnë se BE-ja po i përdor masat si mjet shantazhi ndaj Qeverisë
Bashkimi Evropian do ta thellonte padrejtësinë ndaj Kosovës po qe se i shton masat ndaj saj, ka thënë Zyra për Komunikim Publik e Kryeministrit. Në një përgjigje për KOHËN, nga kjo zyre është theksuar se masat nuk janë zgjidhje dhe se edhe ato që janë në fuqi ndaj Kosovës janë të padrejta. Në përgjigje u nënvizua se të tilla masa BE-ja nuk ka ndërmarrë ndaj Serbisë për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.
“Masat nuk janë zgjidhje. Koha e ka dëshmuar që masat e BE-së ndaj Kosovës kanë qenë të padrejta. Ato vazhdojnë të jenë të tilla për aq kohë sa janë në fuqi. Shtimi i tyre vetëm sa do ta thellonte padrejtësinë. Në anën tjetër, shtrohet pyetja çfarë masa ndërmori BE-ja ndaj Serbisë e cila pas sulmit terrorist dhe paramilitar shpalli Ditë Kombëtare Zie për tre terroristët e vrarë në Banjskë, kreun e të cilëve, Millan Radoiçiq e strehon dhe financon”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.
Derisa BE-ja kërcënoi me masa pas veprimeve të Qeverisë për mbylljen e 9 zyrave të Postës së Serbisë dhe paralajmërimeve për hapjen e Urës së Ibrit, në Qeveri thonë se perëndimi do të duhej ta mbështeste sundimin e ligjit.
“Ne kemi nevojë për mbështetjen e BE-së, por edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sidomos në fushën e sundimit të ligjit dhe të respektimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel. Mbyllja e nëntë zyrave të Postës së Serbisë të cilat kanë operuar pa licencë dhe në mënyrë ilegale, është çështje e sundimit të ligjit. Ndërkaq hapja e urës së Mitrovicës mbi lumin Ibër është çështje e lirisë së plotë të lëvizjes, sundimit të ligjit dhe respektimit të marrëveshjeve të dala nga Brukseli që në vitin 2015, përveçse kontribut i drejtpërdrejtë i integrimit të mëtejmë të qytetarëve tanë”, thuhet tutje në përgjigjen e Qeverisë.
Lidhur me paralajmërimet për masa, nuk kthyen përgjigje nga Bashkimi Evropian.
Muja: BE-ja po i përdor masat si shantazh
Basri Muja, njohës i çështjeve politike, e sheh të pakuptimtë vendosjen e sanksioneve ndaj një shteti që ndërmerr veprime ligjore. Sipas tij, këto masa BE-ja po i përdor si mjet shantazhi ndaj Qeverisë së Kosovës. Thotë se Qeveria duhet të koordinohet me aleatët porse nuk duhet t’i vërë në diskutim as me ta çështjet që kanë të bëjnë me rend dhe ligj.
“Bashkimi Evropian po tenton që përmes këtyre masave në njëfarë mënyre ta frenojë Qeverinë e Kosovës në vendosjen e rendit dhe ligjit në të gjithë territorin e Kosovës. Sigurisht që këto masa tenton t’i përdorë edhe si një mjet shantazhi ndaj Qeverisë së Kosovës, krejt kjo për shkak të paaftësisë së tij që ta bindë Serbinë që t’i implementojë marrëveshjet”, ka thënë ai.
Muja komentoi edhe masat ekzistuese të cilat thotë se i kanë bërë mjaftueshëm dëm Kosovës. Në rast se do të zgjeroheshin, ai thotë se do të ishin vazhdimësi e atyre aktuale që thotë se nënkuptojnë tërheqje të tërësishme të aktiviteteve a fondeve të suspenduara përgjatë kësaj kohe. Por, duke marrë parasysh situatën në BE me ndryshimet në pozitat udhëheqëse, ai nuk pret se do të ketë masa të tjera.
“Mendoj që nuk do të ndodhë diçka e tillë sepse kjo vërtet nuk ka kuptim dhe shpresoj shumë që Bashkimi Evropian në këtë fazë të tranzicionit të pushtetit nuk do të gjejë kohë që të merret me vendosjen e masave apo shtrëngimin e masave ekzistuese ndaj Kosovës”, ka shtuar ai.
Canaj: Nëse ura hapet Kosova sanksionohet nga BE-ja
Ndryshe nga Muja, ish-diplomati dhe analisti politik, Blerim Canaj, thotë se nëse Ura e Ibrit hapet, masat ndaj Kosovës do të jenë të pashmangshme. Sipas tij, për të mos u ndëshkuar Qeveria, duhet të koordinohet për çdo veprim me partnerët.
“Tanimë jemi bërë çështje e sigurisë pikërisht për shkak të disa hapave të ndërmarrë nga qeveria të pakoordinuar a nga partnerët. Neve mund të na duket koordinimi me partnerët si prekje në çështjet e brendshme të Kosovës, mirëpo duhet ta kemi parasysh që janë disa partnerë të cilët janë garantues të sigurisë në Kosovë dhe ata e kanë barrën e sigurisë dhe për hir të kësaj atëherë domosdoshmërisht disa hapa të cilët eventualisht mund të prekin sigurinë duhet të merren me ta”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se edhe pse masat po vendosen ndaj veprimeve të Qeverisë, ato do ta prekin edhe popullin e Kosovës, meqë siç thotë, do të kenë efekt ekonomik dhe politik.
“Deri tani është thënë që masat i vendosen Qeverisë, jo popullit të Kosovës, por fatkeqësisht këto masa të vendosura ndaj Qeverisë po e prekin edhe popullin e Kosovës për shkak se Kosova po përjashtohet nga fondet e nga pamundësia e takimeve bilaterale të qytetarëve tanë me botën përreth”, ka thënë ai.
Aktualisht, Kosova është nën masa të BE-së të cilat i ishin vendosur vitin e kaluar për shkak të mos përmbushjes nga Qeveria të kushteve të ndërkombëtarëve për shtensionimin e situatës në veri të vendit. Masat ndëshkuese ekzistuese përfshijnë suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, si dhe mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Ka rreth dy muaj prej kur kryediplomati evropian, Josep Borrell, në raportin e tij ka konstatuar se janë përmbushur rrethanat për heqjen e masave, por vendimi nga vendet anëtare ka munguar.