Qeveria e Kosovës nuk ka komentuar deklaratat e të dërguarit të BE-së për dialogun, lidhur me mundësitë për arritjen e marrëveshjes finale.
Lajçak, duke theksuar se kjo mund të arrihet vetëm me vullnetin e të dy palëve, shfaqi gjithashtu pasiguritë se do të arrijnë në pikën ku do të ketë marrëveshje gjithëpërfshirëse e ligjërisht të obligueshme.
“Ne nuk mund ta duam më shumë marrëveshjen sesa palët. Nuk mund të vijmë me një situatë kur ne imponojmë një marrëveshje të tillë, merre ose lëre. Nëse ata nuk duan normalizim të raporteve ne nuk mund ta bëjmë një gjë të tillë për ta”, kishte thënë Miroslav Lajçak, emisar i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi
Në një përgjigje me shkrim nga Qeveria e Kosovës, nuk kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre lidhur me dështimin e mundshëm të bisedimeve me Serbinë.
“Parimisht kryeministri Hoti nuk i komenton deklaratat e liderëve të institucioneve të tjera, qoftë vendore apo ndërkombëtare. Ndërsa sa i përket procesit të dialogut, kryeministri Hoti e ka thënë disa herë deri më tani se dialogu nuk ka alternativë dhe se në Bruksel por diskutohet për marrëveshje përfundimtare, me njohje reciproke, në kufijtë aktualë. Duke e pasur parasysh dinamikën e takimeve në procesin e dialogut deri më tani, e që në masë të madhe është diktuar nga pandemia Covid -19, është shumë optimiste të thuhet se një marrëveshje e rëndësisë së tillë do të arrihet brenda këtij viti”, tha Antigona Baxhaku, Zyra për Komunikim me Publikun.
Qasjen e Bashkimit Evropian ndaj procesit të dialogut mes dy shteteve e ka kritikuar analisti gjerman, Bodo Weber. Sipas tij, edhe pse ka vite që ka nisur, bisedimet me Serbinë janë ende në fazë të hershme.
“Ne jemi në shkallën që ne ende nuk e kemi pasur negociata të vërteta. Në këtë fazë me bërë deklarime të tilla, të asaj që ndoshta mundet mos me pas marrëveshje të arritur, për mua është e papërgjegjshme”, tha Bodo Weber, analist gjerman.
Bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë që nga muaji shtator janë mbajtur vetëm në nivel të ekspertëve, derisa ende nuk është bërë e ditur nëse gjatë këtij vitit do të ketë takim mes kryeministrit Avdullah Hoti e presidentit Aleksandër Vuçiq.