Qeveria e Kosovës ka zgjedhur të mos i përgjigjet fajësimeve të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
Një ditë më parë, ai ka thënë se Kosova ka dëshmuar më pak gatishmëri për t’u ulur në tryezën e bisedimeve me Serbinë.
“Dua t’ia bëj të qartë Kosovës se dialogu nuk zhvillohet për shkak të dialogut, por për shkak se është kyç në përparimin në rrugëtimin evropian. Së bashku me Lajçakun do të vazhdojmë të përgatisim takimin e radhës, por kjo do të ndodhë vetëm nëse të dyja palët merren vesh rreth rezultateve pozitive dhe konkrete”, ka thënë Josep Borrell, përfaqësuesi i Lartë i BE-së.
Pyetjeve të televizionit për këtë deklaratë, nuk u janë përgjigjur këtë të mërkurë nga Zyra e kryeministrit.
Njohës të dialogut Kosovë-Serbi, thonë se deklaratat e Borrellit janë shqetësuese, duke marrë parasysh pozitën e tij si ndërmjetësues në këtë proces.
“Duhet thënë se këto deklarata të bëra nga z. Borrell janë shqetësuese për shkak të pozitës që mban ai, e që është e ndërmjetësuesit neutral. Praktikisht, është hera e dytë brenda pak muajve që z.Borrell drejton gishtin e fajit kah Kosova. Në njërin rast për mos implementimin e marrëveshjes për Asociacionin dhe tani për mos mbajtjen e takimeve. Këto deklarime e dëmtojnë kredibilitetin e BE-së si ndërmjetësues tek pala kosovare dhe mund të shkaktojnë edhe më tutje averzion. Z. Borrell para se ta drejtoj fajin tek pala kosovare besoj është mirë që të krijojë incentiva dhe mekanizma bindës për t'i ulur palët në tavolinë”, u shpreh Arbër Fetahu, hulumtues në GLSP.
Të mërkurën, nga Bashkimi Evropian, janë shpalosur ndërkaq detaje lidhur me vizitën që javën tjetër pritet ta realizojnë në Kosovë emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, dhe ai i SHBA-së për Ballkanin perëndimor, Gabriel Escobar.
Sipas Zyrës së BE-së në Prishtinë, Lajçaku dhe Escobari do të qëndrojnë në Kosovë tri ditë.
“Nga 31 janari deri më 2 shkurt, Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian (PSBE) për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajcak, do të vizitojë Kosovën. Atij do t'i bashkohet edhe Përfaqësuesi Special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor dhe zv.ndihmëssekretari, Gabriel Escobar. Në Prishtinë, Lajçak dhe Escobar do të takohen me lidershipin politik në Kosovë, liderë të partive politike, si dhe me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare. Qëllimi kryesor i udhëtimit është diskutimi i hapave të ardhshëm në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga BE-ja dhe i mbështetur nga SHBA. Lajçak do të takohet gjithashtu me përfaqësues të shoqërisë civile dhe do të vizitojë pikëkalimin e përbashkët në Mutivodë”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë.
Derisa ka shpërndarë njoftimin e Zyrës për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se “ progresi në dialogun e lehtësuar nga BE-ja mbetet mënyra më e mirë për të siguruar që liderët e Kosovës mund të japin rezultate për qytetarët”.
Pas Kosovës, Lajçaku dhe Escobari pritet ta vizitojnë edhe Serbinë.