Pak orë para se Qeveria të shkarkonte anëtarin e Bordit të Telekomit, Osman Ejupi, i cili punësoi të katër fëmijët e tij në ndërmarrjen që vetë e mbikëqyrë, ai ka zgjedhur të japë dorëheqje.
Në një letër dërguar kryeministrit Ramush Haradinaj dhe ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Ejupi e ka cilësuar dorëheqjen e tij të parevokueshme, raporton KTV.
Në letër Ejupi, thotë se fëmijët iu punësuan me merita në Telekom, pasi ai pretendon se nuk pati kompetencë që të ndikojë në këto punësime, duke i vlerësuar raportimet në media si denigruese për të.
“Punësimi i njerëzve të afërt, është bërë sipas procedurave të vetë Telekomit të Kosovës”, ka thënë ndër të tjera Osman Ejupi, në letrën e dorëheqjes, që mban datën 4 mars 2019.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka konfirmuar për “Kohavisionin”, se vendimi për shkarkimin e tij, ka qenë i shkruar dhe i miratuar nga ministri Valdrin Lluka, i cili do ta dorëzonte në mbledhjen e Qeverisë që pritet të mbahet këtë të martë.
Telekomi të premten i kishte dëshmuar aksionarit kryesor, MZHE-së, se të katër fëmijët e tij Artina, Arxhina, Armendi dhe Ardiani, ishin punësuar në Telekom, brenda pak ditësh në muajin qershor të 2018-s, ashtu siç edhe kishte raportuar “Kohavisioni”.
Duke parë edhe testet dhe procedurat e përzgjedhjes së tyre si agjentë të shitjes në Telekom, ministri Lluka kishte ardhur në përfundim se Ejupi duhet të shkarkohet, pasi ka keqpërdorur pozitën e anëtarit të Bordit.
Por, të 4 fëmijët e Ejupit vazhdojnë të jenë të punësuar në Telekom.
Arton Demhasaj, që udhëheq me organizatën Çohu, e cila ka monitoruar punën e përzgjedhjes së Bordeve në ndërmarrjet publike, dhe sipas tij, dorëheqja e Ejupit nuk e zgjidh problemin, pasi dëmi është shkaktuar, përfshirë veprën penale.
“Kohavisioni” ka kontaktuar kryeshefin e ndërmarrjes, Bedri Istrefi, i cili ka bërë të ditur se do të kërkojë themelimin e një komisioni, i cili do të merret me shqyrtimin dhe analizimin e të gjitha punësimeve në ndërmarrje.
Ai është arsyetuar se fëmijët e Osman Ejupit janë punësuar kur me Telekomin udhëhiqte kryeshefi tjetër, por punësimet gjatë kësaj kohe do të hetohen.
Vetëvendosje ndaj Ejupit ka dorëzuar kallëzim penal në Polici.