Qeveria në detyrë e Kosovës ka marrë vendim për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesave për shpronësim në disa pjesë të vendit, ndërsa ka vendosur edhe për anulimin, ndryshimin e plotësimin e vendimit për shpronësimet që preken nga autostrada “Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë”.
Në mbledhjen e 68-të, sipas njoftimit nga Qeveria, është miratuar vendimi për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme ish shoqërore, të cilat janë të nevojshme për realizimin e projekteve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për: Ndërtimin e objektit të Gjykatës Themelore në Pejë, një në Prizren, dhe renovimin apo ndërtimin e ish objektit të filialit së “Jugobankës” në Mitrovicë, për nevoja të Gjykatës Themelore.
Është vendosur edhe për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim të pronave të paluajtshme në zonën kadastrale Bresalc në Gjilan që preket nga ndërtimi i autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë, në zonën e Balincës në Malishevë që preket nga ndërtimi i rrugës Prishtinë-Pejë dhe në Milloshevë të Obiliqit që preket nga ndërtimi i rrugës Prishtinë-Mitrovicë.
Qeveria po ashtu ka vendosur për anulimin, ndryshimin dhe plotësimin e pjesërishëm të vendimit me të cilin ishin miratuar shpronësimet e pronave që preken nga ndërtimi i autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë. Aty përfshihen segmenti Banullë – Bresallc, që prek komunat Lipjan (Banullë, Sllovi, Smallushë), Novobërdë (Parallovë) dhe Gjilan (Bresalc, Ponesh dhe Zhegovc).
Qeveria ka miratuar edhe vendimin përfundimtar për shpronësimin të objekteve të cilat menaxhohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), të cilat preken nga realizimi i projekteve: ndërtimi i Parkut që do të shërbejë për amfiteatrin e fshatit Mushtisht dhe ndërtimi i “Çerdhes së fëmijëve dhe këndi për të moshuarit’’, në fshatin Studençan të Suharekës.
Edhe
Qeveria miraton tri vendime për shpronësim të pronave për interes publik
Ndër vendimet tjera të marra në këtë mbledhje është edhe vendimi për obligimin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit që bashkë me ndërmarrjet publike qendrore të përgatisë dhe raportojë në Thesarin e Kosovës të dhënat e plota, me kohë dhe të sakta, për huamarrjet e brendshme dhe ndërkombëtare. Ky raportim duhet të bëhet në baza tremujore, jo më larg se 15 ditë pas përfundimit të çdo tremujori.
Është vendosur edhe për obligimin e të gjitha institucioneve publike që të bashkërendojnë aktivitetet e tyre me Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit në Ministrinë e Punëve të Brendshme (ASHI/MPB), për zhvillimin e sistemeve elektronike dhe integrimin e tyre në infrastrukturën dhe platformat qendrore të sistemeve të informacionit në pajtim me legjislacionin në fuqi. “Me këtë rast, obligohet ASHI/MPB të paraqesë për miratim në Qeveri draftin e Strategjisë së Qeverisjes Elektronike brenda tre (3) muajve si dhe Policia e Kosovës që të rrisë kapacitetet hetuese për parandalimin e sulmeve kibernetike në bashkëpunim me institucionet relevante vendore dhe ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.