Qeveria në detyrë në mbledhjen e mbajtur sot ka miratuar ndarjen e 250 mijë eurove për përkrahjen e Koalicionit Global Kundër ISIS, raporton Koha Ditore.
Shuma sipas kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj, është ndarë nga kategoria “Shpenzime të paparashikuara”.
“Kosova është e gatshme ta përkrahë këtë koalicion në aspektin ushtarak, të inteligjencës gjithashtu edhe në aspekte tjera. Nuk është vetëm aspekti financiar me çka mund Kosova të ndihmojë”, ka thënë ai.
Haradinaj thotë se Kosova ka bërë shpenzime të koalicionit më shumë se sa paratë e veta që i ka dhënë.
“Kthimi dhe bartja e gjithë atyre njerëzve nuk është bërë e gjitha me buxhet të Kosovës”, ka shtuar ai.
Ai ka thënë se në Kosovë ka siguri derisa shton se duhet të kthehen edhe personat e mbetur në zonat e rrezikshme.
Haradinaj ka folur edhe për përpjekjet e Vetëvendosjes dhe LDK-së për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje.
Ai ka thënë se Kurti si fitues i zgjedhjeve e ka për obligim krijimin e institucioneve të shtetit.
“Neve nuk ka kontaktuar askush. Nuk e di çka është duke ndodhur saktësisht. E kam thënë disa herë se në sistemin tonë parlamentar partia fituese bëhet përgjegjëse për krijimin e qeverisë. Kurti dhe Vetëvendosje janë përgjegjës me ja dhënë Kosovës institucionet. Aleanca nuk është pjesë e ndonjë diskutimi e VV-së apo e kujtdo qoftë”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se i pari e krijon qeverinë dhe nuk mund ta bëjë ai që ka dalë i dyti në zgjedhje.