Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin me të cilin urdhërohen të gjithë zyrtarët e qeverisë për përdorimin e automjeteve zyrtare në mënyrë strikte vetëm për qëllime zyrtare.
“Dalja jashtë vendit me makina do të bëhet me shkresë përcjellëse të ministrit, për ta shikuar nëse është i autorizuar. Të mos ketë lëvizje të stafit në mënyrë të paautorizuar. Policia do të bëjë kontrolle për të shikuar nëse makinat zyrtare drejtohen pa autorizim”, ka thënë Haradinaj, raporton “Koha Ditore”.
Sipas Haradinajt, në mbledhje është marrë edhe vendimi për krijimin e Grupit Punues për bashkëpunim me Ministrinë Federale për Punë të Brendshme Gjermane dhe harmonizim të standardeve që ndërlidhen me liberalizimin e vizave.
Qeveria ka miratuar propozimin e Koalicionit Digjital për mandatimin e anëtarëve të tij për marrjen e përgjegjësive për të intensifikuar punët rreth vendimit për njohjen ndërkombëtare - Domenit të Republikës së Kosovës.
“Ky vendim është i një rëndësie të veçantë për pavarësinë digjitale të Kosovës dhe një hap shumë i rëndësishëm për proceset e ndërkombëtarizimit të shtetit tonë”, ka thënë Haradinaj.
Po sot, miratim ka marrë edhe vendimi përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të Zonës Kadastrale Reçicë, Komuna e Podujevës, të cilat preken nga realizimi i projektit Ndërtimi i “Kullës së Demë Ahmetit” me qëllim të shndërrimit të saj në shtëpi muze, për ruajtjen e vlerave dhe trashëgimisë historike të Kosovës.