Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Qeveria Kurti me nivelin më të ulët të investimeve kapitale

Në tremujorin e parë të këtij viti Qeveria ka shpenzuar 40.5 milionë euro nga gjithsej 811 milionë euro të ndara për investime kapitale. Ky nivel i ulët i realizimit të buxhetit, që është në masën vetëm 5 për qind, është më mirë krahasuar me vitin e kaluar, por më dobët krahasuar me periudhën e njëjtë gjatë shumicës së viteve të qeverive të kaluara.

Në mandatin e ish-kryeministrit Hashim Thaçi, niveli i realizimit të projekteve kapitale në tremujorët e parë ka qenë më i lartë, me përjashtim të dy vjetëve pas shpalljes së pavarësisë.

Në vitin 2012, për këtë kategori u shpenzuan 109 milionë euro për tre muaj, ndërsa një vit më pas u shpenzuan 87 milionë euro, ani se gjatë 2012-s buxheti për investime kapitale ishte 614 milionë euro, respektivisht 622 milionë për 2013-n. Në tremujorin e parë të 2014-s, vlera e investimeve ishte rreth 40 milionë.

Edhe gjatë qeverisjes së LDK-së, në krye me ish-kryeministrin Isa Mustafa, niveli i investimeve kapitale në çerekun e parë gjatë tre vjetëve ishte në mesatare mbi 46 milionë euro.

Nivel më të lartë të realizimit të investimeve kapitale pati edhe në qeverisjen e Ramush Haradinajt. Gjatë tremujorit të parë të 2018-s u shpenzuan mbi 80 milionë euro, ndërsa një vit më vonë mbi 43.54 milionë euro.

Rreth 58 milionë euro për investime kapitale u shpenzuan edhe në tremujorin e parë të 2021-s, kohë kur Qeveria u drejtua nga Avdullah Hoti.

KOHA ka kërkuar përgjigje nga Qeveria Kurti lidhur me nivelin e ulët të realizimit të projekteve kapitale, por zyrtarë të saj nuk janë përgjigjur që nga e premtja.

Edhe Qeveria shton mjetet për projekte kapitale, por të këtij viti s’i ka shpenzuar as gjysmën Arbëri Qeveria shton mjetet për projekte kapitale, por të këtij viti s’i ka shpenzuar as gjysmën

E në opozitë kritikuan Qeverinë për ngecje në realizimin e projekteve.

Deputeti Ferat Shala tha se statistikat tregojnë për paaftësinë e Qeverisë Kurti për udhëheqje me projekte që janë bazament i zhvillimit.

“Kjo ka reflektuar te shumë kompani ndërtimore, kompani ndërtimore dhe të mjedisit të cilat janë jashtë tregut të punës. Mijëra punëtorë presin fillimin e investimeve apo po largohen nga Kosova. Goditje më të rëndë ekonomisë së Kosovës nuk mund t’i japësh sesa të heqësh paranë e investimeve kapitale nga vendi. Po të shikoni qindra miliona euro qëndrojnë në portofolin e Qeverisë, ndërsa investimet kapitale nuk realizohen. Kjo është gabim totalisht strategjik dhe ekonomik për vendin”, ka thënë Shala.

Kritika për nivelin e realizimit të projekteve kanë shfaqur më herët edhe partitë e tjera opozitare.