Lëvizja Vetëvendosje ngul këmbë se nuk ka ndryshuar qëndrimin sa i përket kundërshtimit të lirimit nga pagesa të rentës minerare.
Të njëjtin qëndrim thotë se e mban edhe si Qeveri. Por, një muaj pas ardhjes në pushtet, nuk ka ndërmarrë asnjë hap në këtë drejtim.
Nga Ministria e Financave nuk janë përgjigjur nëse është ndërmarrë ndonjë hap për ndryshimin e Ligjit për rimëkëmbje në mënyrë që buxheti të mund të inkasojë rreth 13 milionë euro sa parashihen të hyrat për pesë muaj nga pagesa e rentës.
Ishte vetë ministri i Financave, Hekuran Murati, që në kohën sa ishte në opozitë kishte kundërshtuar një masë të tillë, duke thënë se ajo po bëhet në kurriz të qytetarëve për kompani të mëdha.
“Amendamenti ka qenë për kompanitë që operojnë në tregun minerar, te metalet e ngjyrosura dhe që kanë mbi 400 punëtorë si ‘Trepça’ dhe ‘Ferronikeli’. ‘Trepça’ nuk e ka paguar këtë rentë, sepse nuk ka mundësi, që i bie se plani ka qenë që të ndihmohet vetëm një kompani, ‘Feronikeli’”, kishte thënë Murati në emision “Desku” të KTV-së në dhjetor të vitit të kaluar.
Ministria që ai drejton nuk ka treguar nëse është marrë ndonjë hap, apo nëse pritet që të merret ndonjë hap në ditët në vazhdim, meqë lirimi nga pagesa përfshin periudhën nga janari deri më 31 maj të këtij viti. Pra, edhe rreth për një muaj.
Dardan Abazi, hulumtues në INDEP, ka kërkuar nga Qeveria që të marrë hapa konkretë dhe të mos mjaftohet vetëm me deklarime verbale.
“Në vend të kundërshtimit publik, apo në vend të qëndrimeve verbale të marrë masa në ndryshim të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, në ofrim të pakove të rimëkëmbjes, të cilat janë të fokusuara në energjinë e gjelbër dhe në efiçiencën e energjisë”, ka theksuar ai.
Abazi ka treguar se kanë kërkuar edhe nga Komisioni për Ndihmë Shtetërore që ta anulojë këtë masë.
“Ne kemi kundërshtuar lirimin nga pagesa e rentës, pasi ka përfituar në masën 80 për qind KEK-u, mbi 10 milionë euro, të cilat konsiderojmë se janë ndihmë shtetërore drejtpërdrejt në sektorin e qymyrit, për çka kemi kundërshtuar edhe në Komisionin e Ndihmës Shtetërore dhe kemi bërë thirrje që të shpallet e paligjshme kjo masë dhe të bëhet anulimi i saj”, ka theksuar Abazi.
Nga lirimi i pagesës së rentës minerare pritet të përfitojnë 215 kompani. Përfituesi më i madh është KEK-u me mbi 10 milionë euro dhe kompania “Ferronikeli” me rreth 700 mijë euro. Përfitues janë edhe gurthyesit e shumtë.
Nga Komisioni për Miniera dhe Minerale thonë se buxheti i shtetit do të humbë rreth 12.8 milionë euro nga renta që do të ishte në favor të tejkalimit më të lehtë të situatës me pandemi.
“Këtë e bazojmë në faktin ngase, edhe se gjatë vitit të kaluar (2020) ka pas aktivitete të reduktuara në të gjitha institucionet tjera shtetërore, në ndërmarrjet private apo shtetërore, gjendja e shfrytëzimit të lëndëve minerale nuk ka ndryshuar nga viti paraprak (2019), që nënkupton se në këtë sektor sa i përket prodhimtarisë, pandemia nuk ka ndikuar fare, apo ka ndikuar shumë pak”, thuhet në përgjigjen e KPMM-së
Lirimi i pagesës së rentës minerare parashihet që të bëhet nga 1 janari deri më 31 maj sipas Ligjit për rimëkëmbje ekonomike i miratuar më 4 dhjetor nga Kuvendi i Kosovës.
Renta minerare është shuma që duhet të paguajnë kompanitë për shfrytëzim të resurseve. Gurthyesit paguajnë 0.50 euro për metër kub, ndërsa KEK-u paguan 3 euro për metër kub qymyr.
Sipas këtij ligji, të gjitha subjektet të cilat kanë paguar tatjemën ose ndryshe rentën minerare, do të jenë të liruara për 5 muaj ndaj këtij detyrimi.
Kjo ka zgjuar debate të shumta pasi që përfitimi ndaj kësaj mase, sipas INDEP-it, është paraparë si joracional dhe jo me ndonjë efekt në rimëkëmbje ekonomike të vendit.
Edhe Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) pas miratimit të kësaj pakoje ka bërë plotësim/ndryshimin e vendimit që kishte qartësuar që subjektet, në këtë rast ndërmarrjet, do të lirohen nga pagesa e rentës minerare vetëm për sasinë e planifikuar sipas Projektit të Shfrytëzimit (planifikimi vjetor), që shpërndahet në baza mujore.
Kjo, pas dyshimeve të ngritura që ato mund të nxjerrin sasi më shumë sesa që kanë planifikuar në mënyrë që të përfitojnë më shumë nga lirimi i pagesës.