Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Qeveria: Kërkesa për Asociacionin, kundër shtetit të Kosovës

Një ditë pasi i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak nga Prishtina tha se në takim me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, janë pajtuar për zbatimin e marrëveshjeve të kaluara, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se kërkesa për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nuk është e serbëve e as autentike e komunitetit ndërkombëtar, por e Serbisë dhe si e tillë është kundër shtetit të Kosovës.

I ftuar në emisionin “60 Minuta” në KTV të enjten, Kryeziu ka thënë se Qeveria konsideron se diskutimi për formimin e Asociacionit nuk mund të jetë parakusht, por as qendër e diskutimit të një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë.

“Edhe në propozimin evropian diskutohet edhe për çështjen e minoriteteve dhe njëfarë konsiderate për marrëveshjet e deritanishme. Meqë është ashtu, ne konsiderojmë që diskutimi për Asociacionin, apo formimi i tij, nuk mund të jetë as parakusht, por as qendër e diskutimit të një marrëveshje. Asociacioni i komunave, para së gjithash është kërkesë e Serbisë, nuk është as kërkesë e serbëve, as kërkesë autentike e komunitetit ndërkombëtar. Meqë është ashtu ne konsiderojmë që meqë ka rënë nga Gjykata Kushtetuese, nuk është as për serbët e Kosovës por është më shumë kundër shtetit të Kosovës”, është shprehur ai.

Kryeziu ka shtuar se qëndrimi i Qeverisë lidhur me Asociacionin është se ai bie ndesh me Kushtetutën dhe me vlerat e shoqërisë dhe është kërkesë e një shteti që punon kundër Republikës së Kosovës.

“Qeveria është palë në procesin e dialogut, në takimet me emisarët ndërkombëtarë, diskutime për Asociacionin ka pasur që nga viti 2013. Ka një intensifikim sa i përket procesit të dialogut, sa herë që është ngritur si çështje ne kemi dhënë qëndrimet tona. Kërkesa e ndërkombëtare vjen për aq kohë sa ka kërkesë nga Serbia. Duhet ta theksojmë faktin që mbi 2/3 e marrëveshjeve nuk zbatohen nga Serbia”, ka thënë ai.

Lidhur me rikthimin e palëve në tavolinën e negociatave në Bruksel, Kryeziu ka deklaruar se Kosova nuk ka pranuar ftesë për takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Për deklaratën e kryeministrit Kurti në pesëvjetorin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq, për të cilën pati reagime, Kryeziu e fajësoi sistemin e drejtësisë, duke thënë se ka dështuar në procesin gjyqësor.

“Për të kaluarën e z.Ivanoviq ka pasur një proces gjyqësor, është dështim i sistemit të drejtësisë që nuk ka pasur vendim të prerë për të, por vrasja e tij pesë vjet më parë është një indikacion shumë i qartë i një rezistimi dhe refuzimi që i bëhet serbëve në Kosovë për pluralizëm politik. Vrasja e tij praktikisht e ka mbytur pluralizmin politik sepse pas vrasjes së tij kemi dominim të Listës Serbe në vend dhe në të njëjtën kohë e dimë lidhjen e Listës Serbe me Beogradin”, ka thënë ai duke shtuar se të kaluarën e Ivanoviqit nuk është munduar ta përpilojë askush.

Kryeziu është deklaruar edhe për rastin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, duke thënë se raportimet janë të paevidentuara dhe nuk ka bazë për shkarkim të tij.

“Ne kemi pasur një reagim sa i përket diskutimeve për të në vitin e kaluar dhe që për bazë kanë shpifje e raportime të paevidentuara që shpesh na sillen si të vërteta të padiskutueshme e pastaj faktorë opozitarë i përdorin ato për të ngritur kauza të tyre politike. Ambasadori ka qenë i kujdesshëm në komunikim pasi në radhë të parë është ambasador dhe në radhë të dytë ka respektuar procedurat juridike sa i përket shpifjeve për të, ndërsa neve na është kërkuar që nga dita e parë të ketë reagim institucional mbi të në kuptim të shkarkimit apo dorëheqjes”, ka thënë ai.

Artikuj të ngjashëm