Arbëri

Qeveria e vlerëson si hap madhor kontratën KEDS-Elektrosever, AAK-ja e akuzon për hipokrizi

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e ka vlerësuar si hap me rëndësi për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë nënshkrimin e kontratës mes operatorëve të shpërndarjes dhe furnizimit me energji KEDS dhe Elektrosever. Derisa këtë marrëveshje e kanë përgëzuar BE-ja e ambasadori gjerman në Prishtinë. Por AAK-ja e ka kritikuar Qeverinë për hipokrizi meqë sa ishin në opozitë e kundërshtonin jetësimin e një ndërmarrjeje për energji në veri siç është Elektroseveri.

Hap me rëndësi është vlerësuar nënshkrimi i kontratës mes KEDS-it dhe Elektroseverit për rrymën në veri.

Zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, që e ka dialogun dhe integrimet evropiane në portofolin e tij, tha se kjo marrëveshje paraqet edhe hap drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka theksuar se duhet të ecet me hapa të tjerë “për t’i dhënë fund pas më shumë se 20 vjetësh, ilegalitetit në mospagesë të rrymë

“Me nënshkrimin e kontratës komerciale ndërmjet KEDS-it dhe Elektrosever, sipas pikës 3 të Udhërrëfyesit për Marrëveshjen e Energjisë, u bë një hap tutje drejt normalizimit të furnizimit me energji dhe faturimit në katër komunat në veriun e Kosovës. Më shumë se 1 vit pas dakordimit mbi udhërrëfyesin e pasi që pala jonë i përmbushi menjëherë obligimet e saj që derivojnë nga marrëveshja, Elektrosever pranoi ta nënshkruajë kontratën. Operimi edhe në veri do të ndodhë brenda kornizës ligjore e rregullative të Republikës së Kosovës, ashtu si në të gjithë territorin e vendit tonë”, ka shkruar Bislimi.

Kontratën KEDS-Elektrosever e kanë përgëzuar edhe ndërkombëtarët përfshirë ambasadorin gjerman në Kosovë Jorn Rohde, i cili bëri thirrje për zbatim të marrëveshjes për energjinë.

"Vërtet lajm i mirë, tani kemi nevojë për zbatim të qëndrueshëm pa vonesa të mëtejshme!”, ka shkruar Rohde në Facebook.

Megjithatë, në AAK e kanë kujtuar një deklaratë, në kohën kur Albin Kurti ishte opozitar e Ramush Haradinaj kryeministër.

“Elektroseveri nuk duhet të pranohet kurrsesi dhe nëse KEDS-i nuk i mbledh faturat nëpër veri, atëherë duhet të kthehet në pronë publike shpërndarja dhe furnizimi”, kishte thënë Kurti.

Zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili, në postimin ku e ka shpërndarë deklaratën e kryeministrit Kurti sa ishte në opozitë tha se qeveria duhet të tregojë se cila është hisja e Elektroseverit në tregun energjetik, derisa kritikoi Qeverinë paraqitje të arritjes si të “jashtëzakonshme”.

“Zëvendëskryeministri paska deklaru që më në fund pas 20 vjetësh do të fillojë faturimi i rrymës në veri, por nuk paska tregu se cila është hisja e Elektroseverit të Serbisë në tregun energjetik të Kosovës. Kjo qeveri me rrena ka ardhë e me rrena do të përfundojë. Populli nuk han bari, populli ju sheh!”, ka shkruar Xhemaili.

Kryetari i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, ka thënë për Kosovapressin se ende nuk e kanë marrë kopjen e kontratës KEDS-Elektrosever.
E detaje për marrëveshjen e arritur nuk kanë dhënë as në KEDS.

Të dielën presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se është i kënaqur me këtë marrëveshje. Ai tha se e rëndësishmja është që veriu i Kosovës të mos mbetet pa rrymë.

Paraprakisht, i dërguari i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak ka deklaruar se nënshkrimi i kontratës paraqet hap me rëndësi për zbatimin e udhërrëfyesit për energjinë dhe marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.