Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Serbia zyrtarisht do ta kërkojë kthimin e ushtrisë së saj në Kosovë

Aleksandar Vuciq, ushtria e Serbisë

Qeveria e Serbisë ka miratuar të enjten vendimin që t’i kërkojë misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, ta lejojë dërgimin e një numri të forcave të sigurisë në Kosovë, ka konfirmuar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ai ka thënë se kërkesa do t’i dorëzohet KFOR-it qysh në mëngjesin e së premtes. Vuçiqi ka përsëritur se nuk sheh shanse që KFOR-i ta pranojë këtë kërkesë.

“Vendimi është marrë. Nesër në mëngjes, personalisht do ta dërgojmë te komandanti i KFOR-it kërkesën që një numër i caktuar, në qindra deri në mijëra, i forcave tona të kthehet në Kosovë”, ka thënë pas mbledhjes, Vuçiqi.

Vuçiqi pati arsyetuar këtë kërkesë duke u bazuar “në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.

Ai pati thënë ditë më parë se e di që një kërkesë e tillë megjithatë s’do të pranohet. Kërkesa e Serbisë vjen pak ditë pas nisjes së tensioneve në veri të Kosovës dhe në ditën kur Kosova aplikoi zyrtarisht për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Sipas Vuçiqit, aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE nënkupton edhe prishje e “Marrëveshjes së Washingtonit 2020” që për një vit ia ndaloi Kosovës aplikimin për pranim në organizata ndërkombëtare.

Edhe Refuzohet kërkesa e Serbisë për kthim të trupave në Kosovë LAJMET E MBRËMJES Refuzohet kërkesa e Serbisë për kthim të trupave në Kosovë

Presidenti i Serbisë po ashtu ka komentuar edhe planin e njohur si “franko-gjerman” për dialogun Kosovë-Serbi. Sipas tij, kërkesat në të “janë më të vështirat të mundshme për Serbinë”. Ai ka thënë se në njërën nga këto pika kërkohet që Serbia të mos e pengojë pranimin e Kosovës në ndonjë organizatë ndërkombëtare.

“Kjo nënkupton që Serbia nuk do ta kundërshtojë pranimin e Serbisë në Kombet e Bashkuara. Dua që populli i Serbisë ta dijë... Kërkesat janë më të vështirat të mundshme për ne”, ka thënë ai për RTS.

Pas paralajmërimit të Vuçiqit për kthim të ushtrisë së Serbisë në Kosovë, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, e kishte mohuar kategorikisht se një gjë të tillë mund të ndodhte, duke thënë se “Kosova ka garanci të forta sigurie nga SHBA-ja”.