Drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, “e ka lutur”, pak edhe në formë kërcënuese kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, që “të mos luajë me sigurinë e serbëve në Kosovë”.
Petkoviq ka thënë se Kurti është më mirë të përgatitet për dialogun që e pret në Bruksel “për të gjitha çështjet e hapura” sesa të harxhojë energji në çështje të kota, sipas tij.
Petkoviq ka folur edhe për vizitën që kohë më parë, gjatë fushatës, i kishte bërë Kurti veriut të vendit, si dhe për liqenin e Ujmanit, për të cilin ish-Qeveria e Kosovës dhe Serbia kanë firmosur zotime në Washington për shfrytëzim të përbashkët.
“Një marrëdhënie e tillë është e kuptueshme - kur nuk keni të tuajën, ju e synoni të dikujt tjetër. Kjo është arsyeja pse ai përpiqet të hedhë pluhur në sytë e publikut se Ujmani është pronë e së ashtuquajturës Kosovë, dhe se ai mund të shkojë në veri kur të dëshirojë", ka thënë Petkoviq, përcjell B92.net.
Kurti edhe sa ishte në opozitë, edhe tash në pushtet, ka thënë se nuk do të pranojë zotimet e firmosura më 4 shtator në Washington, ku bëhet fjalë për Ujmanin.
Dje, Kurti përsëriti se nuk ka ndryshuar qëndrim për zotimet e firmosura në Washington dhe se Ujmani është liqen i Kosovës për Kosovën.
“Qëndrimet tona sa i përket liqenit të Ujmanit janë po ato të njëjtat, natyrisht që mund të dalin analiza dhe studime, por që puna jonë është të konsiderojmë Ujmanin ashtu siç është, liqen artificial i Kosovës për Kosovën. Ne atë tashmë e kemi paguar. Sa i përket marrëveshjes së Washingtonit e kam thënë që pika më e rëndësishme është ajo e fundit që tashmë është realizuar (njohja nga Izraeli). Por nuk mund të flasim sikur nuk ka ndodhur 14 shkurti (2021), ndryshimi në Kosovë është gjigant. Këtë nuk e bënë ne, jemi pjesë e këtij ndryshimi”, ka thënë Kurti.
Edhe
SHBA: Pezullimi për shkak të veprimeve të qeverisë, s’ka të bëjë me Serbinë
Më 4 shtator, palët ishin pajtuar që SHBA-ja të kryejë një studim fizibiliteti në funksion të shfrytëzimit të përbashkët të ujit.
Së fundi, SHBA-ja ka dalë me një raport për Ujmanin dhe ka propozuar që shfrytëzimi i tij të bëhet sipas modelit të lumit Kolumbia, ku palë janë SHBA-ja dhe Kanadaja.