Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Qeveria e Malit të Zi miraton marrëveshjen me Kishën Ortodokse Serbe

Qeveria e Malit të Zi ka miratuar të premten Marrëveshjes Themelore, e cila duhet të rregullojë marrëdhëniet ndërmjet Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe.

Kryeministri Dritan Abazoviq deklaroi se kjo marrëveshje është miratuar pas më shumë se katër orë diskutimi. Për miratimin e Marrëveshjes Themelore votuan 13 ministra, pesë ishin kundër, ndërsa tre ministra nuk morën pjesë në seancë.

Qeveria miratoi Marrëveshjen e dakorduar më parë nga kryeministri Dritan Abazoviq me patriarkun Porfirije, përkundër kundërshtimit të një pjese të ministrave dhe shumicës parlamentare që e përkrah atë Qeveri.

Zëvendëskryeministri Rashko Konjeviq tha se Qeveria e Dritan Abazoviqit po humb shumicën parlamentare që e ka mbështetur deri më tani. Para votimit, Konjeviq ka paralajmëruar krizën e Qeverisë, e cila është votuar vetëm dy muaj e gjysmë më parë. Sipas Konjeviqit, Marrëveshja Themelore është në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën malazeze.

Duke i bërë replikë Rashko Konjeviqit, kryeministri Dritan Abazoviq tha se nuk i pranon shantazhet e askujt.

Pas miratimit të këtij dokumenti, Marrëveshja Themelore do t’i dërgohet Sinodit të Kishës Ortodokse Serbe me seli në Beograd, i cili gjithashtu duhet ta pranojë atë. Siç ishte paralajmëruar edhe më parë nga patriarku Porfirije dhe kryeministri Abazoviq, për datën e nënshkrimit të Marrëveshjes në Mal të Zi do të ketë një pajtim.

Versioni aktual i Marrëveshjes Themelore për marrëdhëniet ndërmjet shtetit të Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe përmban kryesisht obligimet e shtetit dhe institucioneve ndaj kësaj bashkësie fetare.

Edhe Mali i Zi nënshkruan marrëveshje me Kishën Ortodokse Serbe Botë Mali i Zi nënshkruan marrëveshje me Kishën Ortodokse Serbe

Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi i mundësohet eksterritorialiteti i objekteve fetare, hapet mundësia mësimit fetar në shkollat publike, i njihet subjektiviteti për gjashtë shekuj më i gjatë se sa që Kisha Ortodokse Serbe ka në Serbi, i jep asaj kompetenca publike-juridike dhe në disa fusha ia mundëson statusin ligjor të barabartë me institucionet shtetërore.

Ministri i Drejtësisë, Marko Kovaç, tha se Marrëveshja me Kishën Ortodokse Serbe nuk e ka dëmtuar interesin publik dhe se nuk ka asnjë rrezik për rendin publik të Malit të Zi.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri Rashko Konjeviq i bëri thirrje kryeministrit që të ndalojë miratimin e Marrëveshjes Themelore dhe të formojë një ekip juristësh kushtetues që do ta analizojnë atë./REL