Armatosjen e Serbisë nga shteti rus përmes marrëveshjes Vuçiq-Putin, Qeveria e Kosovës e ka parë si kërcënim serioz per paqen dhe stabilitetin rajonal.
Përmes një komunikate, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka deklaruar se kjo armatosje e Serbisë është kërcënim për të gjithë rajonin, duke u bazuar në të kaluarën e saj kriminale dhe politikën prej një agresori në Ballkanin Perëndimor.
“Ky armatim i radhës i Serbisë, vjen menjëherë pasi që Rusia njoftoi hapjen e një zyre të saj në Ministrinë e Mbrojtjes së Serbisë, në përpjekje për t’i thelluar lidhjet ushtarake dhe koordinim të plotë ushtarako-teknik në mes të dy vendeve. Edhe pse deklarativisht Serbia mëton se dëshiron të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, ajo në vazhdimësi është duke luajtur një rol krejtësisht të kundërt, duke zhvilluar stërvitje të përbashkëta ushtarake me Rusinë dhe Bjellorusinë, madje është raportuar për pjesëmarrjen e forcave të rregullta ushtarake serbe (përfshirë snajperistë) në Bjellorusi”, thuhet në reagimin e MPJD-së.
Tutje, Ministria ka deklaruar se prania e NATO-s në Kosovë dhe anëtarësimi i shteteve të rajonit në këtë organizatë, anëtarësim i kontribuon paqes, e ka penguar Serbinë dhe Rusinë.
“Përderisa Serbia duket se është përcaktuar që të bëhet një hambar ushtarak rus, Kosova dhe vendet tjera të rajonit tonë janë përcaktuar për vlerat e vendeve të civilizuara dhe demokratike. Anëtarësimet euro-atlantike të të gjitha shteteve tona, janë përgjigjja më e mirë ndaj tendencave të këtyre vendeve që po përpiqen ta destabilizojnë rajonin tonë dhe ta kërcënojnë në vazhdimësi paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Ballkan”, thuhet në reagim.