Arbëri

Qeveria do të marrë vendim për mbështetjen e familjes së policit Bunjaku

Qeveria e Kosovës të mërkurën do të marrë vendim për të mbështetur familjen e rreshterit Afrim Bunjaku, që ra në detyrë në Banjskë të Zveçanit të dielën, në një sulm nga një grup i armatosur serb.

Siç bëhet e ditur në rendin e ditës për mbledhjen e 162-të të Qeverisë, pika e dytë është “shqyrtimi i propozim-vendimit për mbështetje të familjes së rreshterit Afrim Bunjaku, të rënë në detyrë, në Banjskë”. Për vendimin do të adresohet Ministria e Financave.

Mbledhja do të nisë në orën 10:00.

Rendi i plotë i ditës:

https://kryeministri.rks-gov.net/wp-content/uploads/2023/09/Rendi-i-dites-2.pdf

Të dielën, si pasojë e një sulmi të armatosur në Banjskë të Zveçanit u vra polici Afrim Bunjaku. Në aksionin pasues të Policisë, dhjetëra sulmues të armatosur e uniformuar serbë u rrethuan në fshatin Banjskë. Policia u sulmua në vazhdimësi nga sulmuesit. Nga aksioni deri tash janë konfirmuar tre sulmues të vrarë e tetë të arrestuar. Është kapur edhe arsenal armësh, ndërsa disa sulmues të tjerë tashmë kanë ikur e po trajtohen në spitalet e Serbisë.