Ish-kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve të UÇK-së Xhevdet Qeriqi sot në 20 vjetorin e rënies së komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij i shoqëruar nga bashkëluftëtarë ka bërë homazhe në varrezat e familjes Jashari në Prekaz.
Me këtë rast ai tha se në Kosovë nuk është bërë ashtu siç kanë dëshiruar luftëtarët e UÇK-së.
“Sot kemi dal me bashkëluftëtar ta nderojmë veprën dhe sakrificën e madhe të familjes Jashari që kanë bërë për lirinë tonë. Kështu që e shohim si obligim ta vizitojmë këtë vend dhe ta nderojmë veprën dhe sakrificën që kanë bërë. Fatkeqësisht e kam thënë edhe disa herë se nuk është bërë ajo çka e kanë pritur edhe luftëtarët e UÇK-së edhe si popull. Por, po shpresojmë që në të ardhmen do të bëhet më mirë”, tha Qeriqi.
Sot në Prekaz po shënohet 20 vjetori i rënies së komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij.
Më 5,6 dhe 7 mars në Prekaz u zhvillua lufta në mes të familjes Jashari dhe forcave të policisë dhe ushtrisë serbe.