Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi” ka kërkuar nga organet përgjegjëse komunale dhe ato qendrore që të merren masa kundër qenve endacakë.
Sipas njoftimit të kësaj kompanie, sot në rrugën “Visar Thaçi”, në Mati 1, është sulmuar një punëtor i saj, transmeton KOHA.
“KRM ‘Pastrimi’ njësia Prishtinë, kërkon nga institucionet komunale, si dhe organet e rendit të Republikës së Kosovës të ndërmerren masa sa i përket rrezikut nga qentë endacakë. Sot në orët e para të mëngjesit në rrugën ‘Visar Thaqi’ tek Mati 1, është sulmuar një punëtor i Kompanisë sonë.
Fatmirësisht ka shpëtuar edhe pse është dashur të trajtohet nga stafi mjekësor dhe është liruar nga Kompania për pushim. Përveç rrezikut nga përhapja e pandemisë tashmë neve na shtohet edhe një problem tjetër nga rreziku i sulmimit prej qenve endacakë. Ne si Kompani kërkojmë të merren menjëherë masa nga Komuna e Prishtinës si dhe nga organet e vendit si Policia e Kosovës”, thuhet në njoftimin e “Pastrimit”.