Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj, ka thënë se vendimi për 24 hektarët e Manastirit të Deçanit ishte epilog i vështirë, por sipas tij, duhej të zbatohej për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Ai ka thënë të enjten në “60 Minuta” të KTV-së se vendimet e Kushtetueses duhet të zbatohen pasi “ajo është gardiani i Kushtetutës”.
“Kosova ka obligim t’i zbatojë vendimet e Kushtetueses, duke ditur se ajo është gardian i Kushtetutës. Është dashur ky vendim të marrë fund dhe të zbatohet...Kosova po e dëmton veten dhe po i dëmton raportet me miqtë tanë”, ka thënë Qalaj.
Deputeti i partisë opozitare është shprehur se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është në presion nga faktori ndërkombëtar dhe nga qytetarët e vendit.
Qalaj ka deklaruar se Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po bashkëpunojnë mes vete, duke shtuar se sulmi në Banjskë ishte improvizim i Vuçiqit.
“Kur Qeveria Kurti ishte në minimumin e sondazhit për shkak të problemeve të brendshme, kur u pa se Qeveria s’po di të qeverisë, Vuqiqi e improvizoi një sulm në Kosovë. Policia e Kosovës me një reagim të shkëlqyer parandaloi dhe likuidoi disa sulmues dhe kemi prapë kthimin e një lloj besimi për shkak të incidentit në Banjskë”, ka thënë deputeti i PDK-së.
Sipas tij, hetimet për sulmin në Banjskë do të duhej të shfrytëzoheshin për të ngritur një aktakuzë.
“Policia e Prokuroria t’i kenë elementet për një aktakuzë. E dhimbshme që shumë dëshmitë janë dëmtuar nga ministri i Brendshëm...Politika të qëndrojë larg hetimeve...dhe pastaj të kemi një aktakuzë. Është rast serioz dhe hetimi të bëhet si duhet”, është shprehur Qalaj.
Për mbajtjen e zgjedhjeve në veri, deputeti i PDK-së ka theksuar se ato s’duhet të mbahen pa një garanci ndërkombëtare “për pjesëmarrje të serbëve lokalë në zgjedhje”.
“Nëse duam të kemi zgjedhje, duhet garanci e fortë ndërkombëtare”, ka shtuar ai.