Arbëri

Pushteti kritikon BE-në, opozita thotë se po sulmohen aleatët

Pas kryeministrit Albin Kurti edhe udhëheqës të tjerë institucionalë kanë kritikuar Bashkimin Evropian për qasje jobalancuese në raport me palët në dialog. Megjithëse Kurti ishte pajtuar me Marrëveshjen e cila ka brenda Asociacionin, kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë të premten se ky mekanizëm e bosnjëzon Kosovën dhe nuk mund të zbatohet. Por, përfaqësues të opozitës thonë se kryeministri po bën lojëra fjalësh teksa kritikat ndaj BE-së i kanë cilësuar si sulme mbi aleatët

Reagime të shumta ka nxitur mungesa e dakordimit për zbatimin e Marrëveshjes Bazë në takimin e fundit mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka quajtur bosnjëzim të Kosovës themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, obligim ky të cilin e ka marrë përsipër ta përmbushë Qeveria aktuale me Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin për zbatimin e saj në Ohër. Sipas kryeparlamentarit, Kosova nuk mund t’i pranojë të gjitha marrëveshjet me Serbinë.

“Jo të gjitha marrëveshjet mund t'i pranojmë, ne e analizojmë, kryeministri e ka ekipin e vet dhe vetë atje është për këtë punë që t'i analizojë nëse ato janë në interes të Kosovës apo jo. Ne nuk do të lodhemi kurrë që edhe më tutje të argumentojmë me bashkësinë ndërkombëtare që ky është një pozicionim prej së cilës Kosova nuk mund të heqë dorë. Po të hiqte dorë, mund të çojmë në bosnjëzimin e Kosovës. Populli e ka votuar Lëvizjen Vetëvendosje përpos arsyeve të tjera, unë mendoj që njëra prej arsyeve kryesore qendrore pse Lëvizja Vetëvendosje ka fituar para dy vjetëve, me e spostu këtë proces të bosnjëzimit të Kosovës”, ka thënë Konjufca pas shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë në Kuvendin e Kosovës.

Një ditë pas dështimit të takimit, ku kryeministri Albin Kurti tha se kushti i Serbisë për asociacionin është shndërruar në qëndrim të ndërmjetësve Borrell e Lajçak, edhe Konjufca ka pasur kritika në adresë të BE-së.

“Mua më duket e pabalancuar, sepse të gjitha kërkesat që parashtrohen në drejtim të Kosovës korrespondojnë me ato që na i kërkon neve vetë Serbia, sikur dorëheqja pa kurrfarë procedure e kryetarëve të komunave, zhvleftësimi i procesit demokratik edhe i ligjshmërisë së institucioneve tona..., të gjitha këto janë kërkesa të Serbisë dhe fatkeqësisht Bashkimi Evropian po na i kërkon këto. Ne nuk mund ta shkelim shtetin tonë. Do të shkojë përmes kushtetutshmërisë, përmes ligjeve... Është transparent procesi se kur japin kryetarët e komunave dorëheqje se çka ndodh në Republikën e Kosovës. Kjo do të ndodhte edhe në komunat e tjera jo vetëm në atë të veriut”, ka potencuar Konjufca.

Por, përfaqësues të opozitës e kanë bërë fajtor Kurtin për mungesën e përparimit në dialog duke i cilësuar sulme mbi aleatët akuzat e kryeministrit për anshmëri të ndërmjetësve.

Kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, ka thënë se më 27 shkurt në Bruksel dhe më 18 mars në Ohër, kryeministri Kurti ka pranuar një marrëveshje dhe një aneks të zbatimit të saj, përmes së cilave ka hequr dorë nga njohja e ndërsjellë, “ndërsa ka vendosur Asociacionin dhe autonominë politike për serbët në qendër të dialogut”.

“Në këtë situatë - të qëndrimit refuzues si pasojë e pranimit paraprak, kryeministri Kurti e ka futur veten e vet. Askush nuk e ka detyruar të pranojë Marrëveshjen dhe Aneksin e saj të zbatimit, nëse ka qenë i bindur se ato janë të dëmshme. Tash, pasi e ka kuptuar se ka gabuar, ka vendosur të bëjë lojëra fjalësh dhe hapa mbrapa. Fatkeqësisht, ky ndryshim i qëndrimit nuk do t’i kushtojë atij, por Kosovës. Kosova dhe qytetarët e saj nuk i kanë borxh asgjë kryeministrit Kurti – aq më pak sanksionet të cilat tashmë po i vuajmë dhe të tjera që janë paralajmëruar”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Ai ka shtuar se Serbia gjithmonë ka qenë destruktive duke sulmuar jo vetëm shtetin e Kosovës, por edhe aleatët e Kosovës për mbështetjen ndaj Kosovës. Por sot, siç ka thënë Krasniqi, me këtë kryeministër Kosova po vihet në thumb të kritikës ndërkombëtare, derisa Serbia po lirohet nga presioni.

“Thirrjet populiste për t'u bashkuar kundër Perëndimit dhe botës demokratike në një shtet që ka synim integrimin euroatlantik janë çmenduri e llojit të vet. Qytetarëve dhe shtetit tonë nuk i duhet e nuk i ndihmon ky kurs i konfrontimit me aleatët strategjikë. Sot, para së gjithash, Kosova ka nevojë për një qeveri tjetër - kredibile, të aftë dhe të përgjegjshme, e cila e rikthen vendin në kursin e nevojshëm të zhvillimit dhe integrimit euroatlantik”, ka thënë Krasniqi.

E kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se kryeministri Albin Kurti duhet të dorëhiqet dhe ta kthejë mandatin te populli.

“Situata e krijuar pas dështimit të djeshëm në Bruksel, me tendencë të thellimit të krizës, me pasoja të rënda për popullin e Kosovës, kërkojnë reflektim urgjent nga Kurti dhe qeveria e tij. Ai duhet të dorëhiqet dhe ta kthejë mandatin te populli. Këtë veprim duhet ta bëjë edhe nëse ai mendon se është në rrugë të drejtë. Ai obligohet ta pyesë popullin se çka mendon për veprimet e tij. Në demokraci zgjedhjet janë përgjigjja më e mirë”, ka shkruar Haradinaj. “Në rast të mungesës së reflektimit të Kurtit mbetet përgjegjësi e ne të tjerëve, të bashkohemi e të veprojmë urgjent për ta dërguar vendin në zgjedhje duke e shkarkuar Kurtin përmes mocionit të mosbesimit. Është koha ta pyesim popullin se si të dalim nga kjo gjendje e rrezikshme”.

Kurti dhe Vuçiqi të enjten nuk arritën pajtim në asnjërën prej pikave të marrëveshjes për rrugën drejt zbatimit. Sipas përfaqësuesit të lartë të BE-së, Vuçiqi e kishte pranuar propozimin e tij, por jo edhe Kurti.