Arbëri

Punëtorët e “Pastrimit” s’dalin në terren, s’duan që t’i ndajnë punët me kompani të tjera

Kompania Pastrimi

Foto: KOHA

Punëtorët e kompanisë “Pastrimi” sot s’kanë dalë në terren për punë, pasi s’po pajtohen që edhe operatorët e tjerë ekonomikë t’i ndajnë llotet e operimit.

Ata thanë të martën se po kërkojnë të punojnë në zonat ku kanë punuar deri më tani.

“Ne nuk po kërkojmë asgjë më shumë, vetëm të na lënë që të punojmë në vendet që i kemi pasur më herët dhe do të vazhdojmë ashtu. Vendimi i gjykatës është pro neve. Po donë që neve të na e lënë Marecin e Dabishecin e atyre te ua japin qendrën e qytetit”, ka deklaruar Adnan Sinani nga kjo kompani.

Punëtorët e “Pastrimit” po fajësojnë menaxhmentin që po bashkëpunon me Komunën e Prishtinës.

Javën e kaluar është arritur marrëveshja mes Komunës së Prishtinës dhe sindikatës greviste të “Pastrimit” për ndërprerjen e grevës.

Komuna u zotua se do t’i plotësojë kërkesat e punëtorëve. E këshilli grevist tha se nëse nuk do të plotësohen kërkesat e tyre, do të vazhdojnë me greva e protesta.