Punëtorët e Kompanisë rajonale të mbeturinave “Pastrimi”, kanë nisur grevën e para ndërtesës së Komunës së Prishtinës.

Në njoftimin e Shoqatës Sindikale të “Pastrimit” për grevën, thuhej se qëllimi i saj është shprehja e pakënaqësisë dhe kërkesës për zgjidhje emergjente ndaj situatës së rëndë financiare ku është futur ndërmarrja, “si pasojë e mosshlyerjes së obligimeve financiare nga Komuna”.

“Formati i tubimit: Pjesëmarrës: rreth 300 punëtorë dhe të punësuar të KRM “Pastrimi”; Vendndodhja: përreth objektit të Komunës së Prishtinës, me qëndrim të vazhdueshëm; Do të përdoren rreth 20 kamionë, të cilët do të parkohen në mënyrë të rregullt dhe pa bllokuar rrugët emergjente; Greva do të jetë paqësore, pa ndërhyrje në veprimtarinë e organeve publike, dhe në koordinim me autoritetet policore”, thuhej në njoftim.

Ka disa ditë që ndërmarrja “Pastrimi” nuk po i grumbullon mbeturinat. Ajo ka thënë se është e detyruar ta ndërpresë shërbimin, për siç ka thënë, mospagesës së borxhit prej 2.7 milionë eurosh nga Komuna.

E Komuna ka mohuar borxhin dhe ka akuzuar ndërmarrjen për sabotazh. Në mes të këtyre akuzave, qyteti është mbushur bërllok dhe është alarmuar për rreziqe shëndetësore, ndërsa Prokuroria është aktivizuar për të grumbulluar informata për situatën.

Krasniqi i reagon Komunës së Prishtinës: Kontrata 1.5 milionë euroshe nuk është zgjidhje

42 min. më parë / 22 maj 2025 11:17
ardian krasniqi

Kryetari i Sindikatës së punëtorëve të kompanisë “Pastrimi”, Ardian Krasniqi, i ka reaguar Komunës së Prishtinës për kontratën prej 1.5 milionë euro për mirëmbajtjen dhe pastrimin e hapësirave publike në qytet. 

Krasniqi ka thënë se “ndonëse është nënshkruar një kontratë shtesë për shërbime sipërfaqësore në vlerë prej 1.5 milion euro, kjo nuk është zgjidhje e kërkesave tona thelbësore dhe nuk e ndalon përshkallëzimin e grevës”.

Ai ka përsëritur kërkesat që thotë se janë të panegocueshme dhe se pa përmbushjen e kërkesave, greva vazhdon.

“Asnjë zgjidhje e pjesshme nuk do të ndalë veprimet tona”, theksoi ai. 

Kërkesat: 

  1. Pagesa e borxhit pesëmujor që Komuna e Prishtinës i ka KRM “Pastrimi”, e cila është jetike për pagat e rreth 900 punëtorëve dhe për funksionimin normal të ndërmarrjes.
  2. Nënshkrimi urgjent i kontratës bazike për shërbimet e rregullta të grumbullimit të mbeturinave në Komunën e Prishtinës.
  3. Zgjidhja e statusit të ndërmarrjes, përmes një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe afatgjate që garanton mbështetje institucionale dhe financiare.
  4. Ndërprerja e kontratave me operatorë privatë që ofrojnë shërbime paralele, të cilat po e dëmtojnë funksionimin dhe të ardhurat e ndërmarrjes publike.
  5. Konsultimi i detyrueshëm me KRM “Pastrimi” për çdo vendim që prek fushën e operimit të saj në territorin e Prishtinës.
  6. Respektimi i dinjitetit dhe të drejtave të punëtorëve, dhe trajtimin me përgjegjësi institucionale

     

Sindikata e “Pastrimit” pretendon se punëtorët grevistë u ofenduan nga persona të panjohur

1 o. më parë / 22 maj 2025 10:55
Pastrimi

Sindikata “Punëtori” e kompanisë “Pastrimi” ka thënë se gjatë grevës së punëtorëve të ndërmarrjes që ka nisur sot para Komunës së Prishtinës, janë ofenduar nga persona të paidentifikuar.

Sipas reagimit të sindikatës, individë të panjohur janë futur në turmën e protestuesve dhe kanë ofenduar punëtorët me fjalë fyese si: “Ecni, hupni prej këtu, bërllogxhinj!”

“Kjo sjellje është e papranueshme dhe cenon të drejtën tonë legjitime për të protestuar në mënyrë të qetë për të drejtat tona”, thuhet në reagim.

Sindikata i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës që të garantojë sigurinë e protestuesve dhe të ndërmarrë hapa për identifikimin dhe ndëshkimin e personave që kanë shkaktuar provokime në vendin e grevës.

“Falënderojmë mediat për mbështetjen dhe raportimin e drejtë të situatës, duke kontribuar në transparencë dhe respektimin e të drejtave të punëtorëve”, përfundon reagimi i Sindikatës “Punëtori”.

Komuna thotë se punëtorët e “Pastrimit” po keqpërdorën politikisht

1 o. më parë / 22 maj 2025 10:03
Protesta e “Pastrimit”

Komuna e Prishtinës e ka fajësuar menaxhmentin pas grevës së organizuar sot nga punëtorët e Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi”, të cilët u mblodhën para objektit të Komunës për të shprehur pakënaqësitë e tyre.

Në një njoftim në Facebook, Komuna vlerëson se kjo protestë është e panevojshme, duke akuzuar menaxhmentin e kompanisë për “keqpërdorim të punëtorëve për qëllime politike”.

“Ka kohë që kryeqyteti është angazhuar për zgjidhjen e situatës së krijuar me mbeturinat. Prandaj, përderisa jemi duke bërë gjithçka për tejkalimin e kësaj gjendjeje, grumbullimi i punëtorëve të KRM 'Pastrimi' para objektit të Komunës është i panevojshëm. Keqpërdorimi i tyre për qëllime politike nga menaxhmenti është i papranueshëm dhe nuk duhet të vazhdojë”, thuhet në reagim.

Komuna ka thënë se ka propozuar një kontratë me vlerë 1.5 milionë euro me “Pastrimin” për mirëmbajtjen dhe pastrimin e hapësirave publike në qytet dhe pret që ajo të nënshkruhet nga ndërmarrja.

“Presim të nënshkruhet edhe nga kompania ‘Pastrimi’, me qëllim që punëtorët të rikthehen në vendet e tyre të punës dhe angazhimit në kryeqytet”, vijon reagimi.