Përmes grevave punëtorët e Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) po kërkojnë rritje page në vlerë prej 100 euro.
Ahmet Mujeci, nga Federata Sindikale e KEDS-it, ka thënë për “Interaktiv” të KTV-së se kërkesa për rritje pagash për të gjithë punëtorët e kompanisë është shtruar që nga nëntori i vitit të kaluar.
“Kemi qenë konstruktivë që nga nëntori. I jemi drejtuar menaxhmentit dhe bordit që të kihet parasysh sepse punëtorët janë lodhur e janë dërmuar prej pandemisë dhe kemi konsideruar si shumë të nevojshme rritjen e pagës. I kemi pritur me shpresë nëse do të realizohet, por menaxhmenti në takimin e fundit që kemi pasur ka ofruar rritje minimale për një pjesë të punëtorëve, në vlerë 30 euro. Kemi konsideruar si të vetmen formë që të fillojmë grevën qysh prej nesër më datë 11, 12 dhe 13”, ka thënë Mujeci duke shtuar se nga e mërkura greva do të nisë fillimisht të jetë vetëm njëorëshe e duke u shtuar çdo ditë.
Ai ka thënë se të gjithë punëtorët e kësaj kompanie kanë nevojë për rritje page.
Mujeci është shprehur se greva s’do të ndikojë te konsumatorët. Ai ka thënë se mund të ketë rënie të inkasimit, por që kjo do të nxirrej në muajt në vazhdim.
Ka thënë se vetëm bordi mund ta ndalë grevën nëse vendos për rritje pagash.
Paralajmërimi i tij ka qenë që nëse s’merren masa deri më 13 maj, të gjitha distriktet do të hyjnë në grevë para objektit të KEDS-it në Prishtinë.