Xhevdet Jashari, përfaqësues i Sindikatës së Re të KEK-ut, ka paralajmëruar grevë dhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në rast të mospërmbushjes së kërkesave. “I bëjmë apel këtij menaxhmenti të dështuar, ose ta ngrejë pagën ose ne do të hyjmë në grevë dhe Kosova do të jetë në terr. Nuk ka alternativë tjetër, jemi lodhur”, ka thënë ai
Me pankartat “Puna e rëndë, por ushqimi i lehtë”, punëtorët e Korporatës Energjetike (KEK) kanë protestuar të enjten për të kërkuar rritje të pagave, të pagesave për shujta, për përmirësimin e kushteve të punës dhe për pagesën e punës gjatë ditëve të fundjavës, bazuar në Ligjin e Punës.
Krahas këtyre kërkesave, ata kanë bërë thirrje që të respektohen vendimet e Gjykatës për këto kërkesa. E në rast të mospërmbushjes së kërkesave, përfaqësuesit e Sindikatë së Re të KEK-ut, të cilët e kanë organizuar protestën, kanë paralajmëruar grevë, si dhe ndërprerje të energjisë elektrike.
Nexhat Llumnica, kryetari i Sindikatës së Re, ka shprehur nevojën edhe për punësime të reja në korporatë, duke e vlerësuar të ulët numrin e punëtorëve në KEK, për të cilën arsye ata “punojnë shumë më tepër se sa orari normal”.
“Punëtorët e KEK-ut po sfidohen shumë, po punojnë tri ndërrime, po punojnë me 16 orë e të punohet me 16 orë nuk është si të punohet 8 orë e si 16. Ne vetëm në vitin 2021 i kemi pasur 35 të vdekur nga sëmundjet profesionale, që ne dyshojmë që i marrin aty. Ne jemi të rrezikuar, por rrezikshmëria nuk paguhet”, ka theksuar ai.
Xhevdet Jashari, përfaqësues tjetër i Sindikatës, ka paralajmëruar grevë dhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në rast të mospërmbushjes së kërkesave.
“I bëjmë apel këtij menaxhmenti të dështuar, ose ta ngrejë pagën ose ne do të hyjmë në grevë dhe Kosova do të jetë në terr. Nuk ka alternativë tjetër, jemi lodhur”, ka thënë Jashari.
Kritika ndaj menaxhmentit aktual të KEK-ut për diskriminim ka shprehur punëtori i ndërmarrjes, Aziz Krasniqi.
“Ne kemi dalë për të protestuar për ngritjen e pagave, kushtet e punës, shujta, çmimi është shumë i dobët 1.70 centë dhe i kërkojmë paratë e ndërrimeve që na diskriminohen nga menaxhmenti, të cilat të gjitha Gjykatat e Kosovës edhe Kushtetuesja i kanë pranuar ato, por KEK-u nuk na jep”, ka thënë ai.
Përkrahje në protestë punëtorët e KEK-ut kanë marrë edhe nga Sindikata e Pavarur e Administratës.
“Me dhjetëra, gjatë vitit, humbni jetën jo për punë tuaja personale, por për të mirën e përgjithshme. Prandaj, ne si Sindikatë e Administratës Publike i mbështesim fuqishëm kërkesat tuaja dhe të jeni të bindur që çdo kohë dhe çdo moment do të jemi me ju”, ka thënë Ali Gashi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Administratës.
Përfaqësues të Sindikatës kanë njoftuar se më 3 prill do të diskutohet për mbajtjen e grevës.