Xhafer Morina, në cilësinë e drejtorit të Arsimit në Komunën e Mamushës, dhe Rifat Krasniq, në cilësinë e drejtorit të shkollës “Ataturk” në Mamushë, që akuzoheshin për keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar lidhur me punësimin e disa mësimdhënësve, të premten janë liruar prej akuzës nga Gjykata Themelore në Prizren.
Gjykata Themelore në Prizren të premten ka liruar nga akuza dy zyrtarë nga Mamusha që akuzoheshin si bashkëkryerës të veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” lidhur me punësimin e disa mësimdhënësve në vitin 2020. Gjyqtari Xheladin Osmani ka bërë të ditur se pas shqyrtimit të të gjitha provave ka liruar nga akuza zyrtarët Xhafer Morina dhe Rifat Krasniq, marrë parasysh faktin që për kontratat e lidhura ka pasur memorandum në mes të Komunës së Mamushës dhe Ministrisë së Arsimit.
“Duke analizuar të gjitha provat, të cilat u paraqitën gjatë shqyrtimeve të kaluara kjo gjykatë erdhi në përfundim dhe të akuzuarit në fjalë në kuptim të nenit 364, paragraf 1, pika 1.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, lirohen nga aktakuza”, ka lexuar vendimin gjyqtari Xheladin Osmani.
Ai ka njoftuar palët në procedurë se arsyetimi lidhur me aktgjykimin do të pasojë në formën e shkruar.
Pas shpalljes së këtij aktgjykimi avokati i palës së dëmtuar, Gent Gjini, ka paralajmëruar ankesë në shkallën e dytë meqë, sipas tij, vendimi i Gjykatës në Prizren për lirimin nga akuza të dy zyrtarëve nga Mamusha është i padrejtë dhe i kundërligjshëm.
“Do të parashtrojmë ankesë në Gjykatën e Apelit, me çka besojmë se Gjykata e Apelit do të marrë një vendim të drejtë dhe këtë çështje do ta anulojë dhe do ta kthejë në rigjykim, dhe do të presim një vendim me çka të akuzuarit do të shpallen fajtorë për veprën penale të cilën e kanë kryer”, ka thënë ai.
Xhafer Morina në cilësinë e drejtorit të Arsimit në Komunën e Mamushës dhe Rifat Krasniq, në cilësinë e drejtorit të shkollës “Ataturk” nga Prokuroria Themelore në Prizren janë akuzuar se gjatë nëntorit të vitit 2020, në kohë të pacaktuar, duke shfrytëzuar detyrën ose autoritetin zyrtar, i kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim që të shkelin të drejtat e personit tjetër, duke mos zbatuar qëllimisht Ligjin mbi punësimin.
Sipas kësaj aktakuze, dy të pandehurit kanë themeluar marrëdhënie pune me dy mësimdhënës në shkollën e mesme “Ataturk”, derisa i akuzuari Morina themelon marrëdhënie pune edhe në shkollën fillore “Anadolu” me një mësimdhënëse tjetër dhe në shkollën “Zybejde Hanëm” me një mësimdhënës, pa konkurs dhe në kundërshtim me Ligjin e Punës.