Arbëri

PSD: S’do lëmë gurë pa lëvizur që vizita e Trendafilovës të mos kalojë lehtë

Partia Socialdemokrate të mërkurën do të zhvillojë aktivitet ndaj vizitës së kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova.

Zgjim Hyseni nga PSD-ja ka thënë se Trendafilova duhet ta kuptojë se nuk është e mirëpritur në Kosovë dhe se Specialja ka devijuar nga misioni i saj.

“Gjykata në thelbin e saj është e padrejtë dhe është imponuar dhunshëm në Kosovë. Është revizionim i historisë dhe është shndërruar në mekanizëm të izolimit të shkeljeve të të drejtave të njeriut. Fakti që Gjykata ngarend pas intervistave, imazhit, shkon deri aty sa i përmend edhe sondazhet për të treguar çfarë mendojnë njerëzit, është e pazakonshme që gjykatat të merren me marrëdhënie me publikun”, ka thënë ai në Interaktiv.

Hyseni është shprehur se do të bëjnë çdo përpjekje e s’do të lënë “gurë pa lëvizur që kjo vizitë të mos kalojë lehtë”.

Sipas tij, Trendafilova me vizita dëshiron që ta pastrojë imazhin e Gjykatës brenda Kosovës.

“Ata nuk duan diskutim, duan të prodhojnë një pranim të Gjykatës Speciale. Ajo vjen me takime të përgatitura, takohet vetëm me gazetarë”, ka thënë ai.

Hyseni ka shtuar se Gjykata Speciale duhet të orientohet kah ajo për çka është krijuar fillimisht.

“Nëse nuk po mundemi ta zhbëjmë këtë gjykatë, me ia zgjeru misionin, mos me qenë gjykatë etnikisht e orientuar, me u gjyku krimet e luftës. Kjo gjykatë me qenë në kuadër të sistemit të drejtësisë së Kosovës”, ka thënë ai.