Partia Socialdemokrate (PSD), ka mbajtur aksion simbolik në ditën kur mbahet takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel.
“Tension për Asociacionin” ka qenë mbishkrimi i pankartës gjigande të vendosur në objektin e Qeverisë nga aktivistët e kësaj partie.


Në objektin e Qeverisë, shihet fotografia e kryeministrit Kurti dhe e presidenti Vuçiq përballë njëri-tjetrit me dorëza boksi, ndërsa në fund të tavolinës shihen duke i shtrënguar duart.
Me këtë rast, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, tha se tensionet në veri kanë pasur synim formimin e Asociacionit. Sipas tij, Kurti e Vuçiqi janë dukur sikur janë në konflikt, por që në Bruksel nënshkruajnë marrëveshje.
“Ajo që shihet ne ilustrim është e vërteta që ka ndodhur në dialogun Kosovë-Serbi që ka kaluar nga dialogu për marrëveshje finale në pranimin e Asociacionit. Të gjitha tensionet në veri, kanë qenë tensione për krijimin e Asociacionit. Dialog më të mbyllur, më jodemokratik më jotransparent, nuk ka pasur kurrë në Kosovë. Qytetarët dhe deputetët, nuk e dinë se çfarë po diskutohet e as çfarë po nënshkruhet. Kurti dhe Vuçiqi gjatë gjithë kohës janë dukur se janë në konflikt, por në Bruksel kanë nënshkruar marrëveshje. Pra, neve na u është jep imazhi i konfliktit, e Vuçiqit koncesioni”, tha Molliqaj, teksa tha se shefi i ekzekutivit, me nënshkrimin e Asociacionit, ka shkelur vullnetin e 200 mijë qytetarëve.
Molliqaj theksoi se PSD-ja s’e kundërshton këtë marrëveshje, por s’e ka njohjen e Serbisë në qendër e as njohjen e 5 vendeve të Bashkimti Evropian.
“Kurti e ka shkelur vullnetin e 200 mijë qytetarëve që kanë nënshkruar peticionin kundër Asociacionit dhe të gjithë aktivistëve që kanë protestuar kundër. Diçka që s’është bërë për 7 vite, kryeministri Kurti po e bën”, tha Molliqaj.Molliqaj ka ironizuar me Kurtin, duke thënë se “nuk mundesh me hip në tren për Pejë e më mbërri në Ferizaj. Kurti ka hip në trenin e Asociacionit vite më parë”, theksoi ai./eo